​Faturat fiktive për shmangie nga tatimi, ngrihet aktakuzë ndaj dy personave

Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda/Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë ndaj F.P. dhe B.B., nën dyshimet se kanë kryer veprën penale dokumente të rrejshme lidhur me tatimin.

Prokurori i shtetit ka marrë aktvendim për pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj të pandehurve A.P., A.R., A.J., G.GJ., M.Z., M.B., M.R., M.Z., N.B., S.T., V.K., XH.H., I.L., B.B., si dhe F.P. për veprat shmangia nga tatimi, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, mashtrimi në detyrë dhe shmangia nga tatimi, raporton KosovaPress.

Sipas aktakuzës, F.P., gjatë muajve janar-mars 2020 në Prizren dhe Prishtinë, në cilësi të pronarit të një biznesi me dashje ka përdorur 23 fatura fiktive në vlerë 18 milionë euro të lëshuara nga një biznes tjetër, me personin përgjegjës të pandehurin B.B., se kinse ka kryer ndërtimin e një hoteli në Vërmicë-Prizren me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëme prej rreth 3.5 milionë eurosh.

Po ashtu, i pandehuri B.B., gjatë muajve janar-mars 2020 në Prishtinë, në cilësi të personit përgjegjës të biznesit, me dashje dhe me qëllim të mundësimit që biznesi tjetër pronë e të pandehurit F.P. t’i shmanget pagesës së tatimit në vlerë 3.5 milionë eurosh, i ka lëshuar 23 fatura fiktive në vlerë 18 milionë euro kinse për punët e ndërtimit të një hoteli në Vërmicë/Prizren edhe pse ndërtimi nuk ishte kryer nga ky biznes, duke i shkaktuar dëm material të dëmtuarës ATK-së në vlerë prej rreth 3.5 milionë eurosh, ndërsa vetë duke i lëshuar këto fatura fiktive i është shmangur pagesës së tatimit në vlerë prej 115 mijë e 850 euro.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Back to top button