Fazliu para ndeshjes me Shqipërinë: Kjo sfidë determinon objektivin e të dy ekipeve

Pas humbjes nga Polonia, Kombëtarja e Kosovës në kategorinë e femrave do ta zhvillojë nesër ndeshjen e radhës në kuadër të grupit F të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror të vitit 2023 dhe do të ballafaqohet më Shqipërinë në stadiumin “Fadil Vokri” në Prishtinë.
Në prag të kësaj sfide, në një konferencë për media ka folur selektorja Afërdita Fazliu e cila ka thënë se përkundër se Shqipëria ka një përvojë shumë më të madhe se Kosova në garat ndërkombëtare, nesër “Dardanet” luajnë vetëm për fitore.
”Gjithsesi do të jetë një lojë e vështirë për shkak se edhe në ekipin e Shqipërisë është një numër i madh i lojtareve të cilat janë nga Kosova dhe i dimë edhe kualitetet e tyre, megjithatë unë nuk besoj se do të përsëritet loja në Shqipëri me barazim por shpresoj që ato anët e forta të cilat ne realisht i kemi nesër t’i qesim në fushë dhe shpresoj që nesër ne do ta marrim rezultat pozitiv. Definitivisht përkundër asaj që ekipa e Shqipërisë ka një përvojë më të gjatë sa i përket pjesëmarrjes në arenën ndërkombëtare ne nesër do të hyjmë në fushë vetëm për fitore”, ka thënë Fazliu.
Fazliu gjithashtu ka shtuar se kjo sfidë do ta determinoj e edhe objektivin që kanë të dy këto skuadra në këto kualifikime dhe që është të përfundojnë në vendin e tretë në këtë grup.
”Unë mendoj që vendi i katërt do të jetë minimumi për të cilin ne do të punojmë deri në momentin e fundit. Realisht ne me pak fat kemi mundur ta sigurojmë një pikë prej Polonisë që është e vështirë, në të njëjtën kohë nuk do të dorëzohemi edhe në lojën e kthimit, nuk do të jemi indiferent as ndaj ekipeve me të cilat kemi humbur me një rezultat të lartë siç është rasti me Belgjikën. Megjithatë, loja nesër me Shqipërinë e determinon një objektiv që e kemi ne, por në të njëjtën kohë edhe një objektivë që e ka edhe Shqipëria”, ka shtuar tutje Fazliu.
Kosova dhe Shqipëria renditen në pozitat katër dhe pesë më nga katër pikë të mbledhura pas pesë ndeshjeve të zhvilluara.

Back to top button