FBI vazhdon arrestimet, figura ttë njohura të NBA-së në pranga

Një operacion i gjerë i FBI-së ka çuar në arrestimin e disa figurave të njohura të NBA-së, përfshirë trajnerin e Portland Trail Blazers, Chauncey Billups, dhe lojtarin e Miami Heat, Terry Rozier. Hetimet federale zbuluan dy skema të mëdha të paligjshme, një për baste sportive dhe një tjetër për lojëra pokeri të manipuluara, në bashkëpunim me familje të njohura mafioze amerikane.
Sipas Departamentit të Drejtësisë së SHBA, mbi 30 persona janë vënë nën pranga, mes tyre edhe ish-lojtari dhe trajneri Damon Jones. Skemat dyshohet se kanë funksionuar për vite me radhë dhe kanë përfituar miliona dollarë në mënyrë të paligjshme.
Billups akuzohet për përfshirje në një rrjet pokeri ku përdorej teknologji mashtruese për të manipuluar rezultatet e lojërave, ndërsa Rozier dyshohet se ka përdorur informacione të brendshme për të ndikuar në bastet mbi performancën e tij në një ndeshje të vitit 2023.
NBA ka reaguar duke njoftuar se të dy janë pezulluar menjëherë, ndërsa po analizon në detaje aktakuzat. Autoritetet federale e kanë cilësuar këtë operacion si një nga ndërhyrjet më të mëdha kundër korrupsionit dhe manipulimeve në sportet profesioniste amerikane.
Kjo ngjarje ka tronditur botën e basketbollit amerikan, duke ngritur sërish shqetësime mbi integritetin e lojës dhe lidhjet midis sportit, basteve dhe krimit të organizuar.