FBK dhe FIBA organizojnë Seminarin e Dytë për zhvillimin dhe fuqizimin dhe e klubeve

Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit do të organizojnë Seminarin e Dytë për Klubet e FBK-së, prej 6 deri më 8 maj 2022 në Prishtinë.
Qëllimi i organizimit të këtij seminari, FBK thotë se është zhvillimi dhe fuqizimi i klubeve të basketbollit.
“Fuqizimi i Klubeve të FBK-së është një nga pesë qëllimet e FBK-së në Planin Strategjik 2021-2025, të cilin Federata e Basketbollit të Kosovës e ka hartuar në bashkëpunim me FIBA-n dhe ekspertët e jashtëm të angazhuar nga institucioni më i lartë i basketbollit në botë”, thuhet në njoftim.
Ligjërues në seminarin tre ditor do të jenë ekspertët e angazhuar nga FIBA, Geoff Wilson, Pedro Correia dhe Florian Pasquet.
Licencimi i klubeve, qeverisja dhe menaxhimi financiar i ligës dhe klubeve, planifikimi operacional dhe hapat e ardhshëm, si dhe rrugëtimi i lojtarëve janë temat për të cilat ata do të ligjërojnë.
“Klubet e FBK-së duhet të delegojnë përfaqësuesit/et e tyre në Seminar, i cili po organizohet në dobi të zhvillimit dhe fuqizimit të këtyre klubeve. Meqë Licencimi i Klubeve është ndër temat kryesore në këtë Seminar, atëherë FBK kërkon nga klubet e të dyja ligave që të marrin me seriozitetin më të madh delegimin e personave kyç për këtë Seminar, pasi që kriteret për licencim të klubeve në edicionin e ri të garave e kanë marrë dritën e gjelbër edhe në Kuvendin e Punës të FBK-së të organizuar më 26.03.2022 në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim.
Kujtojmë se Seminari i Parë është organizuar në fund të muajit shkurt, ku klubet pjesëmarrëse kanë pasur rastin të mësojnë për temat si menaxhimi i brendit dhe angazhimi digjital me tifozë, veprimet në ditën e ndeshjes dhe angazhimi me tifozë në ditën e ndeshjes dhe sponsorizimi dhe investimet nga sektori publik./21Media

Back to top button