Fëmijët marshojnë së bashku me FSK-në

Me kënge e valle patriotike në sheshin e qytetit të Prishtinës, sot është mbajtur parada e fëmijëve së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të shënuar ditën e çlirimit të kryeqytetit.
Pavarësisht kohës me reshje shiu, fëmijët nuk u ndalën së zhvilluari aktivitetet e tyre për të shënuar këtë ditë.
I pranishëm në këtë organizim ishte edhe ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj. Ai derisa ka kujtuar gjithë të rënët për liri, është shprehur mirënjohës për kontributin e gjithë dëshmorëve.
“Prishtina ka qenë një prej qyteteve të para që është liruar. Lavdi çdo dëshmori të kombit e të gjithë atyre që kanë rënë që ne sot ta gëzojmë këtë liri, e që falë dëshmorëve kemi këtë ushtri. Jo vetëm sot por çdo ditë mësojmë amanetin së bashku, ta ndërtojmë e forcojmë shtetin dhe ta gëzojmë lirinë ashtu siç e meriton populli e kombi shqiptar. Urime Prishtinë, e çdo shqiptari anë e mbanë botës”, tha Mehaj.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dëshmorët e kombit i ka quajtur si figura të ndritshme, që luftuan për lirinë që populli gëzon sot.
“Kjo tregon se nuk ka çfarë të na ndal, kur jemi bashkë s’ka që na ndal. Urime të gjithëve ditën e lirisë së kryeqytetit dhe nuk kam dyshim se më fëmijë sikur ju fantastikë që nuk i frikësoheni asgjëje, do të shkojmë përpara së bashku…2:22 Jemi përzemërsisht mirënjohës të gjithë dëshmoreve, heronjve e gjithë atyre që kanë dhënë jetën e gjakun e tyre qe ne sot të jemi të lirë të shkojmë përpara me ide përparimtare për të mirën e gjithë popullit tonë”, tha Rama.
Se kjo ditë është e rëndësishme, fëmijëve po iu mësohet vazhdimisht edhe në shkolla. Kështu tha Ina Demolli, nxënëse në klasën e parë.
“Është dita e Kosovës kur është çliruar… (mësuesja) na ka mësuar që Serbia kur ka qenë aty ka ardhur Amerika dhe na ka ndihmuar”, tha Demolli.
Sot bëhen 24 vjet nga tërheqja e forcave ushtarake serbe nga Kosova, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serbë.
