Fëmijët me aftësi të kufizuara fizike e mendore janë ndër personat më të izoluar në botë. Këta fëmijë ndeshen me probleme më të theksuara, me diskriminim, paragjykime dhe izolim.

Covid-19 ata i ndau edhe nga qendrat ditore ku zhvillonin aktivitete të ndryshme, kjo ndikon negativisht tek ata por edhe tek familjarët e tyre.

Iliri muaj me radhë nuk i ka takuar edukatoret e tij. I kanë munguar shumë madje ai çdo ditë kërkon nga prindërit e tij që të kthehet në qendrën ditore dhe ta kalojë kohën bashkë me miqtë e tij.

“Më ka marrë malli për Lindën, për të gjitha fëmijët shokët e mijë që i kam në shkollë. Dua të vij çdo ditë te shkolla. Dua të fillojmë në shkollë sa më shpejt”, tha një nxënës.

Babai i tij tha se e ka të vështirë t’ia shpjegojë Ilirit situatën se përse nuk mund të vazhdojë me aktivitetet ditore derisa të qetësohet situata me Covid 19. “Çfarë duhet maska gjëra, ne prindërit vetë do ua bëjmë gati, t’i ketë djali në shkollë, vetëm të fillojnë”, tha ai.

“Unë kërkoj shkollat të fillojnë për  të gjithë, djali më ka qëndruar një kohë të gjatë në shtëpi, bën probleme kërkon të vijë në shkollë. I ka të gjithë të mirat por nuk don të rri në shtëpi. Kërkon të fillojë në shkollë”, u shpreh një prindër.

Se kjo situatë ka ndikuar negativisht tek fëmijët e tha edhe psikologia Lindmira Adili Rexhepi. Mësimi online për fëmijët me nevoja të veçanta nuk e ka efektin e duhur, sepse ajo që u jep ndikim pozitiv atyre është aktiviteti që ata e bëjnë në qendrën ditore.

“Gjatë gjithë kohës ne si staf jemi angazhuar jashtëzakonisht shumë që tju jemi në mbështetje, këtu është edhe mësimi online por e kam pa tjetër ta pranoj se mësimi online nuk mund të bëhet me të gjithë fëmijët për shkak të kapacitet të tyre për shkak të mospasjes së mjeteve kështu që ne si staf mundohemi që mësimin online ta bëjmë nëpërmjet prindërve të tyre duke u munduar të edukojmë prindërit që ata ti bëjnë ata aktivitete”, deklaroi Lindmira Adili Rexhepi – psikologe, raporton TV21./21Media