Ferizaj, ndëshkohen 4 shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik

Policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, gjatë patrullimeve dhe mbikëqyrjes së trafikut rrugor, kanë shqiptuar masa ndëshkuese ndaj katër shoferëve për kryerje të kundërvajtjeve të rënda në trafikun rrugor.
Në rrugën “Brahim Ademi” Ferizaj është ndaluar shoferi A.J. (22), i cili me automjetin VW Golf po qarkullonte 90 km/h në zonën me kufizim shpejtësie 50 km/h. Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 euro, dy pikë negative dhe ndalim drejtimi për tre muaj.
Policia në Muhovc të Ferizajt ka ndaluar A.M. (24) me automjetin VW T-Roc me targa vendore, i cili kishte masë mbrojtëse aktive nga 9 shtatori 2025 deri më 8 mars 2026. Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro, pesë pikë negative, ndalim drejtimi për 6 muaj dhe sekuestrim i automjetit.
Rasti i tretë ka ndodhur në rrugën magjistrale, fshati Sojevë, ku është ndaluar në flagrancë shoferi H.R. (31), i cili gjatë ngasjes së automjetit VW Golf po përdorte telefonin mobil. Pas verifikimeve u konstatua se kjo ishte hera e dytë që i njëjti person kryente të njëjtën kundërvajtje.
Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 euro, dy pikë negative dhe masë mbrojtëse ndalim drejtimi për tre muaj.
Policia ka ndaluar në Mirosalë shoferin T.Z. (31), i cili me automjetin Citroën C3 me targa vendore, pasi kishte tejkaluar në vijë të plotë. Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 eurosh, dy pikë negative dhe masë mbrojtëse ndalim drejtimi për tre muaj.
Policia rajonale e Ferizajt apelon te të gjithë shoferët që të respektojë rregullat e trafikut, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve. Po ashtu, qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes numrit 192 ose përmes aplikacionit “Komuniteti policor”.