“Fero” fotografohet me të dënuarin për rekrutim të luftëtarëve të ISIS-it

Feronit Shabani, i njohur si “Fero”,  është shndërruar në javët e fundit në subjekt diskutimesh pas njoftimit se ai ka vendosur t’i dedikohet islamit dhe të largohet nga muzika.

Lajmi mori vëmendje të madhe në media, të cilat publikuan këtë vendim dhe ndoqën çdo veprim të tij.

Por kallxo.com zbulon se njëri nga njerëzit me të cilët po shoqërohet “Fero” këto ditë është një person i cili është dënuar nga gjykata për rekrutim të luftëtarëve të grupit terrorist ISIS.

Fero në “Tiktok” ka shpërndarë foto dhe video-materiale me Musa Ademin.

Musa Ademi është i dënuar me 5 vjet burg nga Gjykata e Ferizajt për rekrutim për terrorizëm. Sipas dosjes, ai akuzohet se ka bërë propagandë intensive verbale dhe përmes rrjeteve sociale për veprimtarinë e ISIS-it dhe se ka blerë biletën e aeroplanit për  personin B.F., i cili, sipas Prokurorisë, më 23 mars 2014 ka kryer sulm vetëvrasës në Irak duke vrarë 52 persona.

Reperi gjilanas Feronit Shabani, i njohur për publikun si “Fero”, ka tash e disa javë që ka njoftuar se nuk është pjesë e muzikës pasi që ka vendosur t’i përkushtohet fesë dhe islamit.

Ai madje në një njoftim publik në rrjete sociale tregoi se për shkak të disa problemeve të cilat i ka pasur kishte vendosur që t’i përkushtohej fesë islame dhe kishte filluar edhe që të predikonte fenë sipas udhëzimeve siç përcaktohen

Ndalimi i muzikës në islam sipas tij ishte arsyeja pse “Fero” vendosi që të braktisë profesionin të cilin po e ushtronte tash e disa vite.

Të gjitha këto sqarime, “Fero” i bëri pasi doli nga paraburgimi në lidhje me veprën penale të dhunës në familje, ngjarje kjo e cila ndodhi në korrik të këtij viti. “Fero” dyshohej se pas një mosmarrëveshjeje verbale me bashkëshorten e tij e kishte sulmuar këtë të fundit edhe fizikisht.

“Fero” ishte arrestuar nga Policia e Rajonit të Gjilanit ndërsa Gjykata kishte vendosur që të aprovonte kërkesën e Prokurorisë që “Fero” të dërgohej në paraburgim nën dyshimet për dhunë në familje.

Ajo çka vihet në pah pas daljes nga paraburgimi të “Fero”-s është edhe ndryshimi i emrit për të cilin tashmë sipas tij ai ka një emër të bazuar në islam e që është “Khatab” ndërsa në rrjetet sociale vazhdimisht publikon fotografi me persona të ndryshëm e thënie islamike.

KALLXO.com ka vërejtur se një nga personat me të cilin po shoqërohet “Fero” pas daljes nga paraburgimi është edhe Musa Ademi, një i dënuar për rekrutim për terrorizëm në vitin 2016 nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Musa Ademi ka thënë se nuk ka qenë ai personi që ka udhëzuar reperin që të përkushtohet në fe por se e njeh dhe herë pas herë takohen.

“Më herët nuk e kam njohur ‘Feron’ dhe nuk jam personi që jam bërë shkaktar që ai me praktiku islamin edhe pse kish qenë shumë privilegj me qenë po që nuk kam qenë unë. E ka përmend në një intervistë se ka nisë praktikimin e islamit gjatë qëndrimit të tij në burg pasi që ka pasur një mosmarrëveshjeje në familje”- tha Ademi për kallxo.com.

Ademi tha se shoqërinë me “Fero”-n e ka të ngjashme më të gjithë të tjerët dhe nuk ka ndonjë shoqëri të veçantë vetëm për faktin se ai është një person i njohur për publikun.

Ademi ishte arrestuar në prill të vitit 2012 fillimisht për t’u dërguar në paraburgim, masë të cilën e mbajti për gati një vit deri në 27 mars 2013. Ai ishte vendosur në paraburgim edhe në shkurt të vitit 2015 ndërsa vendimi për dënimin me burg ishte shpallur një vit më vonë.

Prokuroria Speciale në vitin 2015 kishte ngritur aktakuzë ndaj Musa Ademit për rekrutim për terrorizëm, duke u bazuar në disa thirrje të tij për t’iu bashkëngjitur në organizatën terroriste ISIS.

Ademi në kohën kur ishte arrestuar nën dyshimin për këto veprime, kishte mohuar se kishte bërë thirrje të tilla.

Në anën tjetër reperi “Fero” në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë ka disa raste për të cilat dyshohet e madje edhe është dënuar./kallxo

 

Back to top button