Festa e Vidovdan-it, një i arrestuar, u sekuestruan thika e boks hekuri
Policia e Kosovës sot ka informuar se mbarëvajtja e festës së Vidovdan-it ka kaluar pa incidente madhore, por që gjatë manifestimeve ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor një person të dyshuar për vepër penale “nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, i cili është në procedurë të intervistimit. Sipas policisë, të gjitha veprimet lidhur me personin në fjalë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin e rastit.
“Gjatë manifestimit zyrtarët policorë kanë vërejtur disa pjesëmarrës të cilët kanë pasur të veshur fanella me mbishkrime provokuese, andaj me qëllim të shmangies së ndonjë keqkuptimi apo incidenti të mundshëm, fanellat e tilla të ekspozuara në automjete dhe të veshura iu janë larguar. Po ashtu zyrtarët policorë të cilët kanë qenë të caktuar në lokacione të ndryshme, përfshirë pikat e kontrollit, gjatë kontrollit dhe verifikimit të tyre kanë gjetur dhe sekuestruar disa mjete të ndryshme të mprehta thika dhe një boks hekuri. Lidhur me këtë, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetentë ka hapur rastet për ’Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’.”, ka bërë të ditur policia.
Policia në bazë të të dhënave nga terreni ka regjistruar rreth 2000 pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, me rastin e festës me karakter religjioz të quajtur ‘Vidovdani’.
“Njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit në Graçanicë i cili kishte filluar në orët e paradites, për të vazhduar pastaj në Gazimestan të Prishtinës. Rreth orës 13:00, manifestimi ka vazhduar tek monumenti i Gazimestanit, ku njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit si dhe rregullimin-orientimin e komunikacionit rrugor edhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik të cilët nuk kanë qenë pjesë e këtij manifestimi.”, është bërë e ditur tutje në komunikatë.
Manifestimi ka përfunduar pa incidente madhore dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë në formën siç kanë ardhur./21Media