Festivali i 17-të Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë mbahet nga 8-13 qershor

Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë mban edicionin e shtatëmbëdhjetë me radhë nga data 8 deri më 13 qershor, realizuar nga Shtëpia Teatrore Filmike AKT në bashkëpunim me Teatrin Dodona dhe Skenën e Fakultetit të Arteve në Prishtinë.
Festivali MonoAKT 2025 ka disa kategori dhe shumë aktivitete sikurse janë Festivali Monoakt, konkurrencë e monodramave ndërkombëtare, Festivali MONoAKTPlus, kategori i shfaqjeve kamertale jo konkurruese, Festivali i MonoSTRIPITIT, kategori studentore e performancës pa tekst, Festivali i MonoPERFORMANCËS, kategori e aktorëve të rinj në zhvillim të mono-performancës moderne.
Gjatë ditëve të festivalit do të mbahet Konferenca Ndërkombëtare mbi Zhvillimin e Monodramës, Punëtoria Teatrore me grupet studentore, të rinjve dhe fëmijëve në zhvillimet teatrore dhe monodramës, konferenca dhe informimi medial mbi zhvillimin e Festivalit, njohja dhe vizitat e trupave ndërkombëtare në institucionet e trashëgimisë kulturore e historike dhe vizitat dhe njohja e mysafirëve me vendet e ndryshme turistike e historike të Kosovës.
Në këtë edicion marrin pjesë artistë nga disa shtete si mysafirë, juri e pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Islanda, Gjermania, Ukraina, Greqia, Turqia dhe Rumania./kp