Feston dasmën me armë, ndalohet një 57-vjeçar në Greme të Ferizajt

Policia e Kosovës ka ndaluar një person pasi kishte shtënë me armë zjarri sot në një dasmë në Greme të Ferizajt.
Njësitë përkatëse në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit S.A. (57), kanë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 50 gëzhoja të armëve. I dyshuari ka prezantuar dy armë zjarri – një revole dhe një pushkë gjuetie, raporton KosovaPress.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, armët dhe gëzhojat janë sekuestruar, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast për veprat penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.