Fillimi i shtatorit me telashe në shkollat e kryeqytetit

…Dje do duhej të fillonte dita e dytë e shkollës, por bankat në shkollën “Pavarësia” në kryeqytet ishin të zbrazëta. Procesi mësimor në këtë shkollë u shtye si shkak i renovimeve të cilat ende nuk kanë përfunduar…

Në hyrje të shkollës  në njoftim thuhet që mësimi fillon më datën 9 shtator, mirëpo kryetari i Këshillit Drejtues, Bujar Përvetica, nuk pret që punimet të përfundojnë deri në këtë datë.

“…procesi mësimor nuk ka fillu për shkak të punimeve në aneksin e shkollës që është duke u bërë dhe nuk ka siguri për fëmijët nëqoftëse kishim fillu në pjesën e vjetër të shkollës, sepse çasja e fëmijëve si në pjesën e hollit si jashtë në punime është shumë e rrezikuar jeta dhe shëndeti…”, tha Përvetica për rtv21

Ndërkaq, në Komunën e Prishtinës thonë se mësimi do të filloj për një javë.

“Punimet në aneksin e shkollës “Pavarësia” janë në finalizim dhe për një javë fillon mësimi”

Përpos në shkollën “Pavarësia” edhe në Gjimnazin “Xhevdet Doda” viti i ri shkollor filloi me telashe.

…nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” janë bartur në gjimnazin e specializuar matematikor, mirëpo në ditën e dytë të shkollës ata ende nuk e dijnë nëse mësimi do të mbahet apo jo, pasi një ditë më parë mësimdhënësit bojkotuan mësimin për shkak të bartjes në këtë objekt…

Nxënëset e klasës së 10-të thanë se mësimdhënësit po bojkotojnë mësimin.

“…dje ka qenë dita e parë e shkollës por profesorët nuk kanë ardhë për shkak që e kanë bojkotu për shkak të ndërrimit të objektit me majtë mësim. Sot nuk e dijmë hala a vijnë profesorët e nëse svijnë as sot atëhere ne nuk mbajmë mësim…siç e di profesorët s’kanë ardhë as në ndërrimin e parë…”

“…Vec po shpërndahemi dikah edhe nuk po mbahet mësimi. Dje vec jemi sjellë nëpër koridore, nuk ka ardhë kerkush vec një arsimtar i gjuhës shqipe për 5 minuta edhe qaq…”

Ndërkaq, ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci tha se për këto telashe në shkollat e kryeqytetit nuk është njoftuar nga Komuna e Prishtinës.

“…këto tash janë në menaxhim të komunës. Ne kemi kërku informata gjatë ditës sepse dje jemi informuar nga prindërit jo nga komuna. Presim që gjatë ditës të kemi raportime nga komunë. Edhe zyrtaret e ministrisë edhe inspektorët janë në vizita gjatë gjithë javës edhe me qëllim montorimi dhe bashkëpunimi…”, tha Nagavci.

Një ditë më parë mësimdhënësit dhe nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë protestuan në shenjë pakënaqësie për ndërrimin e objektit për shkak të reformës./ RTV21/21Media

Back to top button