Filluan punimet në zgjerimin e rrugës në hyrje të Prishtinës

Ky projekt do të kushtojë 800 mijë euro

Sot, në hyrje të Prishtinës filluan punimet në zgjerimin e rrugës nacionale N25.2, segmenti në hyrje të Prishtinës.

Segmenti i rrugës nacionale N 25.2, do të jetë i gjatë 600 metra, me katër korsi dhe do të kushtojë 800 mijë euro.

Ministri i Infrastrukturës me bashkëpunëtorë, i shoqëruar edhe nga kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, inauguruan fillimin e punimeve në këtë rrugë, e cila do ta lehtësojë trafikun në këtë pjesë të Prishtinës.

“Sot po e fillojmë zgjerimin e aksit nacional N25.2, që ka impakt pozitiv për qytetarët e Prishtinës, qytetin në përgjithësi dhe në lidhje të korridoreve. Ne jemi zotuar që kudo që ka kërkesa, së bashku me kryetarin e komunës të bashkëpunojmë dhe të jemi në shërbim të qytetarëve, sepse deri më tash nuk ka ekzistuar një bashkëpunim i tillë mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës. Jemi zotuar që bashkërisht t’i zgjidhim kërkesat sa i përket infrastrukturës. Mund të them që ky segment rrugor do të punohet me tërësinë e infrastrukturës nëntokësore, me instalimet e domosdoshme dhe me ndriçim, që kjo lagje të ketë ndriçim me standarde evropiane dhe shpresoj që edhe në të ardhmen me kryetarin të punojmë edhe në projekte të tjera, prandaj urime dhe e gëzofshin qytetarët”, tha Lekaj.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, duke i falënderuar ministrin Pal Lekaj dhe bashkëpunëtorët, për fillimin e punimeve të këtij projekti të rëndësishëm për qytetin, tha se ky projekt do t’i shërbejë edhe unazës së madhe të qytetit, e cila është projekt tre vjeçar dhe se kjo rrugë do ta ndihmojë jashtëzakonisht qarkullimin në këtë aks rrugor, që është tejet i ngarkuar gjatë tërë kohës.

Punimet në zgjerim të këtij segmenti do të përfundojnë brenda 55 ditësh./21Media

Back to top button