Fitore me pesë gola në shtëpi, Kosova e mundi Armeninë

(Lajm i përditësuar)

Kosova ishte dy herë në disavantazh. Por në fund shënoi fitore bindëse ndaj Armenisë, me rezultatin 5:2.

Ndeshja e së premtes mbrëma ishte miqësore, ndërsa u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”. Interesimi për këtë ndeshje ishte i vogël, kurse momentet interesante nuk kanë munguar.

Fitorja e Kosovës ishte e pritur. Armenia nuk vlerësohet se është në nivelin e përfaqësueses së Kosovës.


Kosova përmbys Armeninë – Emërllahu shënon

Kosova vazhdoi me aksione të rrezikshme dhe arriti të marrë epërsinë në minutën e 71-të ndaj Armenisë me rezultat 3-2.

Ishte Lindon Emërllahu që përfitoi nga një top i kthyer brenda zonës dhe shënoi një gol të bukur për 3-2.

Skuadra e Franco Fodës është treguar më agresive dhe më e organizuar në pjesën e dytë, duke i mbajtur armenët nën presion të vazhdueshëm.


Kosova barazon rezultatin me Armeninë

Kosova në pjesën e dytë e ka barazuar rezultatin në 2:2 në ndeshjen ndaj Armenisë.

Nga pika e bardhë shënoi Mërgim Vojvoda në minutën e 61-të. Vojvoda ndaj Armenisë është kapiten.

Penalltia u dha për ndërhyrje të palejuar në Baton Zabërgjën.


Armenia prapë në epërsi

Përfaqësuesja e Armenisë ka kaluar prapë në epërsi ndaj Kosovës. Pa kaluar gjysmë orë lojë Armenia ia shënoi dy gola Kosovë.

Për 2:1 realizoi Eduard Spertsyan në minutën e 29-të.


Goool Kosova e barazon rezultatin 

Lumbardh Dellova ka shënuar supergol për Kosovën.

Kosova i ka barazuar rezultatin ndaj Armenisë. Për 1:1 realizoi Dellova nga distanca në minutën e 23-të.


Armenia në epërsi, shënoi gol në minutat e parë të lojës

Përfaqësuesja e Armenisë ka kaluar në epërsi ndaj Kosovës.

Për 1:0 realizoi Nair Tiknizyan në minutën e tetë.


Formacionet zyrtare, Kosova – Armenia: Foda provon disa lojtarë nga minuta e parë

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, e ka publikuar formacionin startues për ndeshjen miqësore ndaj Armenisë, që nis në orën 19:00 dhe luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Sulmit të Kosovës do t’i prijë Fisnik Asllani, ndërsa do të debutojë Baton Zabërgja.

Back to top button