Flet xhaxhai i një prej viktimave: Nuk kemi asnjë informacion, thanë që informata do të merrni vetëm në Maqedoni
Zekri Shiroki në një deklaratë për ekipin e TV21 në Bullgari tha se me orë të tëra është në Bullgari mirëpo nuk ka informacione për nipin e tij.
“Jam këtu për nipin tim. Ai ka qenë në atë autobus, si udhëheqës i grupit. A është në mesin e të mbijetuarve? Ata të mbijetuarit janë lartë, ishim i vizituam ata nuk dinë gjë sepse janë të lënduar dhe janë në këtë spital. Tjera informata nuk kemi. Nuk ke kujë ti paraqitesh këtu. Mjekët thonë se ne përgjigjemi vetëm për ata që janë këtu lartë”, tha Shiroki.
Shiroki u shprfeh se familjarët dëshirojnë konfirmimi zyrtarë nga autoritetet.
“Nuk kemi asnjë informatë a është në mesin e të gjallëve, ata të gjallët janë këtu, por duam të dimë nëse është në mesin e të vdekurve. Ishim te kapela(morgu) atje, nuk na lanë të hyjmë brenda. Nuk kemi mundur ta verifikojmë nëse është gjallë, po kthehemi prapë”, tha mes tjerash Shiroki.
Ai shtoi se disa përfaqësues diplomatik iu kanë thënë se informacione do të mund të marrin vetëm nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
“Një person ka biseduar aty me një ambasador, ai tha që është ambasador, edhe ai ka thënë që informata do të merrni vetëm në Maqedoni”, shtoi tutje ai, shkruan TV21.
Një autobus i kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, sot në mëngjes është rrokullisur dhe ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë. Në mesin e viktimave janë edhe 12 fëmijë.
Në seancën e sotme qeveritare është sjellur vendimi që të shpallen tri ditë zie në Maqedoninë e Veriut për tragjedinë në Bullgari./21Media