Fluks në pikat kufitare – pritje deri në 4 orë

Fluks i madh i automjeteve dhe pritje të gjata raportohen mëngjesin e sotëm nga pikë kalimet kufitare në Kosovë.
Sipas përditësimit të fundit (ora 09:04) nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, Merdarja mbetet pika me fluksin më të rënduar, ku koha e pritjes për të dalë nga Kosova shkon nga 3 deri në 4 orë, ndërsa kolona e automjeteve arrin në 3 kilometra.
Situatë pothuajse e ngjashme raportohet edhe te pika kufitare Dheu i Bardhë, ku pritjet për të dalë janë deri në 3 orë dhe kolona e automjeteve arrin 1 kilometër.
Edhe në pikën tjetër kufitare Mutivodë, pritjet janë më shumë se 2 orë dhe kolona arrin 450 metra. Ndërsa, në Jarinjë pritjet janë një orëshe.
Në pikat e tjera si Bërnjak, Hani i Elezit, Qafë e Morinës dhe Vermicë, lëvizjet janë thuajse normale, me pritje që variojnë nga 3 deri në 10 minuta, pa kolona të gjata./21Media
