Kaloni te përmbajtja kryesore

Flutura Kusari: KPM-ja synon t’i disiplinojë mediat e moderatorët kritikë ndaj VV’së duke i kërcënuar me marrje licence e mbyllje

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar me shqetësim në profilin e saj pasi ka monitoruar një mbledhje të Komisionit të Pavarur të Mediave. Kusari ka thënë se ky institucion dëshiron që të disiplinojë mediat kritike ndaj Lëvizjes Vetëvendosje duke kërcënuar me marrje të licencës dhe mbylljes.

Kusari ka thënë se përgjatë diskutimit të rasteve është vërejtur mungesë e profesionalizmit gjatë vlerësimit, gjë që sipas saj vjen nga ndikimi politik.

“Gjatë diskutimit të rasteve, niveli i joprofesionalizmit, i cili sipas bindjes dhe vlerësimit tim është rezultat i ndikimit politik apo anshmërisë politike, ishte alarmues. Asnjëri nga anëtarët nuk pati guximin t’i përmendte faktet e rasteve apo emrat e politikanëve të përfshirë. Kurrë nuk kam marrë pjesë në ndonjë trup vendimmarrës ku shqyrtohen raste pa u prezantuar faktet dhe pa u përmendur emrat e personave të përfshirë. Ky është një nivel i lartë i joprofesionalizmit, mostransparencës dhe një sinjal i qartë se ky Komision nuk do të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, ka shkruar ajo.

Reagimi i plotë:

Sot e monitorova mbledhjen e Komisionit të Varur Kundër Mediave dhe jam thellësisht e shqetësuar me qasjen e këtij institucioni.

Unë besoj se Komisioni ka për qëllim disiplinimin e mediave dhe moderatorëve që lejojnë dhe mundësojnë kritikë ndaj pushtetit të ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, nën kërcënimin e marrjes së licencës dhe mbylljes së tyre.

Shqetësimet e mia, të listuara më poshtë, bazohen në analizën ligjore të vendimeve sanksionuese të lëshuara deri më tani prej se ka ardhur në pushtet kjo përbërje e Komisionit, monitorimin e mbledhjes së sotme dhe leximin e procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara të shkruara nga OJQ-të.

1. Sot, për herë të parë prej se unë e monitoroj punën e KPM-së, u diskutua për mbylljen e një emisioni informativ, përkatësisht të Debat Plus. Nuk u vendos mbyllja e tij, por u tha se, nëse përsëriten “shkeljet”, do të shqyrtohet mundësia e mbylljes së emisionit (parafrazim i deklaratës).

2. Gjatë diskutimit të rasteve, niveli i joprofesionalizmit, i cili sipas bindjes dhe vlerësimit tim është rezultat i ndikimit politik apo anshmërisë politike, ishte alarmues. Asnjëri nga anëtarët nuk pati guximin t’i përmendte faktet e rasteve apo emrat e politikanëve të përfshirë. Kurrë nuk kam marrë pjesë në ndonjë trup vendimmarrës ku shqyrtohen raste pa u prezantuar faktet dhe pa u përmendur emrat e personave të përfshirë. Ky është një nivel i lartë i joprofesionalizmit, mostransparencës dhe një sinjal i qartë se ky Komision nuk do të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.

3. Komisioni është duke bërë tejkalim të kompetencave të veta duke vendosur se çfarë përbën shpifje, çfarë është gjuhë vulgare dhe çfarë është ofendim. Kjo paraqet një keqkuptim të qëllimshëm të rolit të tij, deri në atë masë sa sot anëtarët e Komisionit po luajnë rolin e gjyqtarëve.

4. Komisioni sot foli në detaje për mënyrën se si moderatorët duhet të sillen, çfarë duhet të flasin, çfarë duhet të thonë dhe çfarë nuk duhet të thonë. Kjo nuk ndodh as në vendet më jodemokratike. KPM nuk mund të sillet si institut trajnues.

E këshilloj KPM-në të lexojë dhe të kuptojë jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në fushën e “reporting ëords of others”. Nëse nuk e dinë për çfarë e kam fjalën, atëherë kjo tregon shumë për ta.

Por unë jam aq e mirë sa ua shpjegoj:

Nëse një politikan i thotë një politikani tjetër “je hajneshë” në një debat apo intervistë live, media ka vetëm një obligim: t’i ofrojë hapësirë personit të apostrofuar për demant. Këtu përfundon obligimi i medias dhe kompetenca e KPM-së.

Pjesa tjetër i takon gjykatës, dhe vetëm gjykatës. Anëtarët e KPM-së nuk janë dhe nuk duhet ta marrin rolin e gjykatës.

Unë kam besim të plotë në sistemin gjyqësor dhe besoj se të gjitha këto vendime politike të KPM-së do të rrëzohen një nga një nga gjykatat, sepse janë arbitrare, joproporcionale dhe në kundërshtim me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias.

Për aq kohë sa do të vazhdojë kjo qasje, unë do ta monitoroj KPM-në me llupë, qoftë duke marrë pjesë në mbledhje, duke lexuar vendimet apo duke analizuar procesverbalet dhe transkriptet e saj.

I lus nga zemra mediat me i monitoru mbledhjet e KPM-së. Kjo qasje duhet të dokumentohet

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button