​Foda: Ekipi beson në kualifikim, Zhegrova është i gatshëm

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të luajë pa pesë lojtarë të rëndësishëm në ndeshjen e radhës kualifikuese të Kampionatit Botëror 2026 kundër Sllovenisë.

Lajmin e bëri të ditur në konferencë për media menaxheri i kombëtares, Bajram Shala i cili theksoi se për shkak të lëndimeve mungojnë Amir Rrahmani, Leart Paqarada, Florent Hadërgjonaj, Baton Zabërgja dhe Vesel Dermaku.

Përkundër këtyre mungesave, trajneri Franco Foda u shpreh optimist se ndaj Sllovenisë mund të arrihet në rezultat pozitiv, sidomos duke ditur faktin se ndeshja zhvillohet në Prishtinë ku mbështetja e tifozëve nuk do të mungojë.

“Do të jenë dy ndeshje të vështira, jo të lehta, mirëpo duke qenë se skuadra ta fituar kundër Suedisë, skuadra ka treguar kapacitete tona, kemi treguar pasion, kemi treguar edhe vendosmëri dhe skuadra e la parë që ka mundësi të fitojë edhe kundër kundërshtarëve të tillë. Sllovenia është një skuadër shumë e fortë, ka mbrojtje shumë të mirë e po ashtu edhe sulm, ka përvojë të hatashme por ne në seancat e radhës stërvitore do të stërvitemi në mënyrë shumë të mirë dhe do të përgatitemi maksimalisht për ndeshjet e radhës kur dihet se në shtëpi i kemi mundësitë më të mira pasi që e kemi publikun prapa nesh i cili na mbështet”, theksoi fillimisht Foda.

Tutje ai foli edhe për situatën e Edon Zhegrovës për të cilin tha se është i gatshëm të luajë, por më në detaje situata do të studiohet në seancat e ardhshme stërvitore.

“E rëndësishme është që Edoni ka gjetur një ekip të ri, Juventusin. Po ashtu shumë e rëndësishme është që ai është i gatshëm dhe në dispozicion që të luajë për Kosovën. Gjithçka tjetër do ta diskutojë përsëri bashkë me Edonin dhe me lojtarët tjerë. Tani para nesh kemi katër seanca stërvitore dhe në këto seanca stërvitore do t’i shikojë të gjithë lojtarët dhe do të shoh se cili është në gjendje të luajë për Kosovën dhe si do ta kemi formacionin startues”, deklaroi Foda.

Përzgjedhësi dardan theksoi tutje se ekipi ka shumë besim në vetvete dhe se tashmë ata e shohin kualifikimin si shumë të mundshëm,.

“Për ta arritur vendin e dytë ne duhet të paraqitemi sikur kundër Suedisë edhe Sllovenisë pasi është një ekip shumë i fuqishëm dhe duhet të kemi një shpirt ekipor por besoj që jemi në gjendje që ta fitojmë ndeshjen e radhës kundër Sllovenisë. Është një grup i vështirë mirëpo tani të gjithë e besojnë, edhe ekipi e beson që mund të kualifikohemi tutje dhe kjo është e rëndësishme për ekipin tonë”, tha Foda.

Dardanët do të zhvillojnë dy ndeshjet e radhës në Grupin B për kualifikimet e Kupës së Botës 2026 kundër Sllovenisë dhe Suedisë. /kp

Back to top button