Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve: Dhuna ndaj qenve nuk mund të fshihet më

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se ka pranuar një video tronditëse që dokumenton një akt të tmerrshëm dhune ndaj një qeni endacak nga një punëtor i strehimores publike të Komunës së Prishtinës.

Në pamje, punëtori shihet duke rrahur dhe shkelmuar mizorisht një qen të tmerruar, një akt i cili sipas tyre, është jo vetëm çnjerëzor, por i paligjshëm dhe i papranueshëm në çdo shoqëri që pretendon të jetë humane.

Sipas tyre, ky incident nuk është i izoluar. ”Ai është pasqyrë e një kulture sistematike të neglizhencës, brutalitetit dhe mungesës së transparencës në mënyrën se si Komuna e Prishtinës trajton kafshët endacake – një realitet që është mohuar për vite me radhë nga zyrtarët lokalë përmes premtimeve të zbrazëta për mirëqenie dhe humanizëm”.

 ”Ne nuk do të heshtim.  Ne do të kërkojmë llogaridhënie. Ne po përgatisim kallëzim penal dhe po shqyrtojmë çdo mjet ligjor për t’i vënë para drejtësisë jo vetëm individin që ushtron dhunë, por edhe strukturat komunale që e lejojnë dhe e mbrojnë këtë sistem abuzimi. Kërkojmë drejtësi për kafshët që nuk kanë zë. Kërkojmë fundin e këtij brutaliteti të sponsorizuar nga institucionet.
Kërkojmë veprim – tani. I bëjmë thirrje çdo qytetari, organizate dhe mediumi të reagojë, të kërkojë llogari dhe të bashkohet në këtë betejë për dinjitet, drejtësi dhe humanizëm. Dhuna ndaj kafshëve është krim – dhe çdo heshtje është bashkëfajësi”, thuhet në reagimin e tyre.

Back to top button