Forcimi i arsimit të lartë, Universiteti i Iowa-s ndihmon tri universitete publike në Kosovë

Të martën në Prishtinë është bërë nënshkrimi i marrëveshjeve të mirëkuptimit për nisjen e aktivitetit të mbështetur nga USAID-i të partneritetit me sektorin privat për forcimin e arsimit të lartë, ndërmjet Universitetit të Iowa-s dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, atij të Pejës, “Haxhi Zeka” dhe Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Ky projekt synon të forcojë partneritetin ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve akademike, si dhe të mbështesë zhvillimin e qasjeve të mësim nxënies së orientuar nga tregu dhe përvoja në sektorët e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimin dhe bujqësisë në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti, tha se ky projekt është vital për Kosovën, i cili do të promovojë inovacionin dhe zhvillimin ekonomik.

“Duke bashkëpunuar në sektorin publik dhe privat, universitetet mund të kuptojnë më mirë tregun e punës. Kjo i mundëson atyre t’i përshtatin kurrikulat e tyre për të përmbushur nevojat e punëdhënësve. Përveç kësaj partneriteti me sektorin privat mund t’i sigurojnë universiteteve të dhëna për tregun e punës dhe pastaj t’i përgatisin studentët me njohuritë dhe aftësi”, tha ai.

Këtë bashkëpunim e mirëpriti edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se të rinjtë në Kosovë duhet të marrin arsimin e duhur.

“Pajisja e qytetarëve në Kosovë me shkathtësi të nevojshme në një ekonomi bashkohore të shekullit 21 është një ndër prioritetet kryesore të Ambasadës Amerikane. Më duket se sapo e dëgjova kryeministrin që e tha është një prej prioriteteve të tij dhe na vjen mirë që qëllimet tona shpesh herë janë në përputhje, siç ndodh shpesh. Ky bashkëpunim tregon se është prioritet për të gjithë. Unë shpesh dëgjoj nga bizneset se nevojiten punëtorë me shkathtësi të duhura në punë”, shtoi Hovenier.

Ndërkaq, Russ Ganim nga Universiteti i Iowa-s, tha se ky projekt ka për qëllim që të ketë produktivitet mes universiteteve publike dhe sektorit privat në industrinë e TIK-ut dhe bujqësisë.

“Kjo nismë jo vetëm që do t’i ndihmojë dhe t’i jep energji pozitive ekonomisë së Kosovës, por e mbështetë edhe një të ardhme të qëndrueshme për të rinjtë në Kosovë… Më vjen shumë mirë që ky partneritet në mes universiteteve amerikane dhe atyre të Kosovës të sjell përfitim mes dy vendeve. Kjo është një dëshmi e fortë e marrëdhënieve të forta që i kemi ndërmjet dy vendeve”, theksoi ai.

Ky partneritet parasheh katër objektiva, mes tjerash është edhe rritja e kapaciteteve analitike të universiteteve dhe qasjes në të dhënat e tregut të punës në partneritet me sektorin privat dhe atë publik.

Back to top button