“Formësimi i të ardhmes me teknologji”, slogani i panairit Hannover Messe 2025

Formësimi i të ardhmes me teknologji është slogani i panairit të sivjemë Hannover Messe 2025 i cili mbahet nga data 31 mars deri më 4 prill 2025 në Hanover të Gjermanisë. Në panairin kryesor industrial në botë, kompani nga inxhinieria mekanike, inxhinieria elektrike dhe industria dixhitale, si dhe sektori i energjisë do të bashkohen për të paraqitur zgjidhje për një industri me performancë të lartë, por edhe të qëndrueshme. Më shumë se 4,000 kompani do të veprojnë si një ekosistem industrial i ndërlidhur dhe do të demonstrojnë se si mund të arrihet neutraliteti i klimës përmes elektrifikimit, dixhitalizimit dhe automatizimit.

Një vështrim ekskluziv mbi temat dhe inovacionet kryesore të këtij viti u paraqiten edhe në konferencën globale për media Hannover Messe 2025 Press Preview ku përveç mediave nga vende të ndryshme të botës, pjesëmarrës ishin edhe liderë të industrisë dhe entuziastë të teknologjisë.

Në qendër të vëmendjes ishte Kanadaja, vendi partner zyrtar për vitin 2025 e përfaqësuar nga një delegacion i cili udhehiqej nga Christina Bilyk, drejtuese Ekzekutive e Kanadasë në Hannover Messe 2025, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kanadasë në Gjermani, Evelyne Coulombe dhe Jayson Myers, CEO i Next Generation Manufacturing Canada (NGen).

Kryetar i Bordit Menaxhues të Deutsche Messe AG, Jochen Kockler, tha se temat kyçe që do të dominojnë këtë vit panairin janë: dixhitalizimi, qëndrueshmëria dhe inteligjenca artificiale (AI) në prodhim. “Zgjidhja qëndron në konkurrencën përballë sfidave aktuale politike globale. “HANNOVER MESSE 2025 do të sjellë përparime në AI, elektrifikim dhe dixhitalizim. Këtë vit, vendi ynë partner është Kanadaja dhe kemi 4,000 ekspozues nga e gjithë bota tha Kockler.

Një nga pikat kryesore të këtij prezantimi ishte diskutimi i moderuar mbi “AI në Industri”, i udhëhequr nga Onuora Ogbukagu, Zëdhënës i Deutsche Messe. Ky sesion i angazhuar përfshinte perspektiva nga Fatma Kocer-Poyraz, nënkryetare e Shkencës së të Dhënave të Inxhinierisë në Altair, dhe Sepp Hochreiter, themelues i NXAI dhe Drejtor i Institutit për Mësim të Makinerive në Universitetin Johannes Kepler Linz. Diskutimi u përqendrua në rolin kritik të inteligjencës artificiale në revolucionarizimin e proceseve industriale, përmirësimin e efikasitetit operativ dhe formësimin e së ardhmes së prodhimit inteligjent.

Gjatë Press Preview, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kanadasë në Gjermani, Evelyne Coulombe ndau detaje mbi partneritetin e Kanadasë. Ajo shpjegoi se partneriteti u iniciua kur Kancelari gjerman ftoi Kryeministrin kanadez për bashkëpunim, një proces që zgjati më shumë se dy vjet për t’u realizuar. “Tani jemi në pozitën e duhur, dhe ky partneritet me Gjermaninë do të ndihmojë të dy ekonomitë,” deklaroi Coulombe. Komentet e saj theksuan rëndësinë strategjike të këtij bashkëpunimi, duke premtuar përparime ekonomike dhe teknologjike nëpërmjet kësaj bashkëpunimi transatlantik.

Jayson Myers, CEO i NGen, foli mbi praninë në rritje të Kanadasë në HANNOVER MESSE. “Vitin e kaluar në HANNOVER MESSE 2024, rreth 80 kompani kanadeze morën pjesë dhe prezantuan inovacionet e tyre, duke dhënë përshtypjen se tashmë ishin vendi partner. Këtë vit, do të jetë madhështore,” vuri në dukje Myers.

Deklaratat e tij sinjalizuan se roli zyrtar i Kanadasë në 2025 do të zgjerojë mundësitë për bashkëpunim, inovacion dhe tregti midis Kanadasë, Gjermanisë dhe pjesëmarrësve globalë.
HANNOVER MESSE është panairi më i madh në botë për teknologjinë industriale, duke bashkuar liderët e industrisë, inovatorët dhe politikëbërësit për të eksploruar zgjidhje transformuese industriale. Edicioni i vitit 2025 do të vazhdojë trashëgiminë e tij të promovimit të dixhitalizimit, efikasitetit energjetik dhe prodhimit inteligjent për një të ardhme të qëndrueshme.

Back to top button