Formohet Grupi i Gjelbër në Kuvendin e Kosovës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka njoftuar se është formuar Grupi i Gjelbër në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kryesues i këtij grupi është Abazi.
“Njoftim për formimin e Grupit të Gjelbër në Kuvendin e Republikës së Kosovës.Në bazë të nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në përputhje të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, grupi i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot Kryetarit të Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kemi paraqitur Njoftimin për Themelimin e Grupit Vullnetar ‘’Grupi i Gjelbër i Deputetëve’’. Kryesuesi i grupit vullnetar të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovë të quajtuar ‘Grupi i Gjelbër i Deputetëve’ është: z. Haki Abazi – deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Legjislatura e VIII-të”, shkroi Abazi.
Deputeti i VV-së njoftoi edhe për fushëveprimin e këtij grupi.
Fushëveprimi i grupit vullnetar të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të quajtur ‘Grupi i Gjelbër i Deputetëve’ është:
- Korniza ligjore e Republikës së Kosovës;
- Agjenda e Gjelbër Evropiane;
- Marrëveshja e Parisit për Klimën;
- Traktati i Glasgoë;
- Konferenca e Palëve;
- Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara;
- Ndërlidhja me komisionet e përhershme dhe funksionale parlamentare;
- Monitorimi i zbatimit të legjislacionit në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm;
- Diskutimet me grupet e interesit dhe përfshirja në debatet publike;
- Konsultimet me shoqërinë civile, qytetarët, grupet e interesit.
Zgjerimit dhe përfshirja e deputetëve të tjerë, do të bëhet sipas interesit dhe paraqitjes së Deputetëve tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës./21Media