​Forumi për Gratë e Paqen, kërkohet fuqizimi i grave e rinisë në shoqëri

Pas dy ditë punimesh ka përfunduar sot në Prishtinë edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Prishtinë.

Në këtë forum morën pjesë rreth një mijë pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete botërore.

Forumi është mbajtur në kohën kur paqja dhe siguria sulmohen në pjesë të ndryshme të botës, ku gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Në panelin me të rinj, i cili ishte edhe aktiviteti përmbyllës i Forumit për Gratë dhe Paqen, e para e vendit tonë tha se ky forum ishte një rast i njohjes së potencialit të madh të rinisë kosovare, si një burim i pashtershëm për zhvillimin e shoqërisë.

“Këto vajza dhe djem të rinj kanë treguar se nuk ka rëndësi se sa i vogël është një shtet, sepse impakti i vërtetë i një shteti përcaktohet nga vullneti që e shpreh ai popull, nga qëndrueshmëria e atij populli dhe jam jashtëzakonisht krenare me këtë shembull që rinia jonë jep vazhdimisht”, ka thënë Osmani.

Kiana Kryeziu, skiatore e suksesshme të Kosovës në fushën ndërkombëtare, ka folur se si ajo e sheh rrugën përpara që duhet ta ndjekë vendi, në mënyrë që gratë të fuqizohen dhe të ndihen të sigurta.

“Femrat në Kosovë, duke filluar nga Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit, Nora Gjakovës, Donjeta Sadikut e deri te gjenerata më e re e sportistëve, të cilat kanë aspiratat e tyre për t’i arritur majat e tyre të suksesit dhe për ta ngritur flamurin në arenën ndërkombëtare, ne e dimë se sporti është një nga mjetet më të mira për të reklamuar imazhin e shtetit të Kosovës. E dimë se me sport kemi depërtuar nëpër vende ku diplomacia ka pasur vështirësi për të pasur qasje, andaj unë mendoj se sportistët mbeten diplomatët më të mirë të shtetit tonë. Fuqizimi i femrave përmes sportit është njëra nga metodat më të mira, pasi sporti krijon mentalitetin e lidershipit”, ka thënë Kryeziu.

Pjesë e panelit me të rinjtë ishte edhe Marigona Shabiu, aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e cila ka folur mbi rastet e fundit të vrasjeve të grave në Kosovë, duke thënë se nevojitet që kjo çështje të trajtohet urgjentisht në aspektin institucional.

“Ajo që duhet të bëhet më tutje dhe që është kërkesë e jona si aktiviste është që vrasja e grave, femicidi të trajtohet apo të shpallet si urgjencë kombëtare, kështu që besoj se brenda kompetencave të juaja edhe ju si presidente të shihni mundësitë që një gjë e tillë të bëhet me veprim të menjëhershëm e të jashtëzakonshëm, sepse nuk kemi edhe më tutje durim, por nuk kemi jetë të grave që do të humbin në ditët në vazhdim”, ka thënë ajo.

Ndërsa Ideal Zhaveli nga KRVL ka adresuar në këtë panel nevojën e bashkimit të përpjekjeve të rinisë në luftimin e sfidave dhe tejkalimin e tyre drejt arritjes së sukseseve në të ardhmen.

“Ne kemi një shtet të ri në të cilin po punojmë dhe ka probleme të ndryshme të cilat mund t’i luftojmë bashkërisht dhe të punojmë për ndryshimin e tyre. Janë tri gjëra besoj se duhet fokusuar në rregullimin e diskriminimit gjinor, e para legjislacioni, ky plotësim-ndryshimet e ligjeve janë të nevojshme, por zbatimi i tyre është ai ku duhet fokusuar… E dyta, dikur që ka qenë e para, është arsimi. Vajzat sot po na bëjnë krenare dhe e shoh rëndësinë dhe arritjet që e kanë pasur gratë dhe sot i shohin vajzat tona që kanë arritur shumë në karrierë dhe jemi shtet ballkanik ku kemi presidenten grua dhe kemi qenë storie suksesi. Besoj se edukimi është tash hap i dytë që duhet ndjekur… E treta, që i siguron dy të paratë, është zhvillimi ekonomik, ku me fuqizimin e grave me bizneset e veta, bashkërisht mund t’i fuqizojmë”, ka thënë Zhaveli.

Në panel morën pjesë edhe Morea Pula, studente e Juridikut nga Universiteti i Prishtinës, Qëndrim Hoxha – LDA, Ditjon Fetahu – KYC dhe Milot Morina nga Shkolla e diplomacisë së diasporës, që kanë shpalosur përvojën e tyre për arritjen e sukseseve në jetë, si dhe kërkuan investime më shumë nga shteti për rininë.

Ndryshe, objektivi i forumit ishte adresimi i kërcënimeve historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë, me qëllimin përfundimtar për të bashkuar forcat për të avancuar më tej agjendën e WPS.

Back to top button