Franca e shqetësuar pas veprimeve në Veri

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka reaguar lidhur me veprimet e fundit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku u mbyllën zyrat e bankave postare serbe.
Përmes një komunikate për media, Parisi zyrtar ka njoftuar se janë të shqetësuar me këto veprime, të cilat i konsiderojnë të njëanshme dhe që kontribuojnë në përshkallëzimin e tensioneve.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës “këto veprime të reja të njëanshme kontribuojnë në përshkallëzimin e tensioneve dhe rrezikojnë diskutimet e vazhdueshme, nën patronazhin e Bashkimit Evropian, që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për personat e prekur nga zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Më tej në reagim thuhet se veprimet e Kosovës ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë dhe shkojnë kundër përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve.
“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm. Inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe të punojnë në propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga ndërmjetësimi evropian, e vetmja bazë realiste për arritjen e një marrëveshjeje që lejon përfituesit e kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”, përfundon njoftimi.