Franca ndalon rrjetet sociale për fëmijët deri në 15 vjeç

Ligjvënësit francezë miratuan projektligjin që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët deri në 15 vjeç.
Asambleja Kombëtare e miratoi tekstin me 130 vota pro dhe 21 kundër në një seancë të gjatë që zgjati deri pas mesnate.
Ky veprim është mbështetur gjerësisht nga presidenti Emmanuel Macron si një mënyrë për të mbrojtur të miturit nga koha e tepërt para ekranit.
“Mendjet e fëmijëve tanë nuk janë në shitje. As për platformat amerikane, as për rrjetet kineze. Ëndrrat e tyre nuk duhet të diktohen nga algoritmet. Nuk duam një brez të shqetësuar, por një brez që beson në Francë, Republikën dhe vlerat e saj,” shprehet Emmanuel Macron, president i Francës.
Legjislacioni, i cili parashikon gjithashtu ndalimin e telefonave celularë në shkollat e mesme, do ta bëjë Francën vendin e parë në Europë dhe të dytin në botë pas Australisë që ndërmerr një hap të tillë.
Projektligji do të ndiqet me procedurë të përshpejtuar për t’u votuar edhe në Senat, me qëllim që të hyjë në fuqi në fillim të sezonit të ri shkollor në muajin shtator. Ndërsa për t’u bërë e mundur një gjë e tillë, do të nevojitej një sistem efektiv i verifikimit të të dhënave, për të cilin po punohet aktualisht në të gjithë Europën.
Ndalimi i mediave sociale, si në Australi, po studiohet edhe në vende si Britania, Danimarka, Spanja dhe Greqia.