“Frika” nga koalicionet!

Janë bërë 18 vjet nga koalicioni i parë midis partive politike për formimin e institucioneve të reja, i cili ishte nënshkruar në atë kohë nga kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe ai i LDK-së, Fatmir Sejdiu, për formimin e institucioneve, Kuvendit dhe Qeverisë.
Ndër vite, pothuajse nga secili proces zgjedhor, partitë politike kanë lidhur koalicione, por asnjëra prej tyre nuk e kishte përfunduar mandatin e plotë. Koalicioni i fundit midis partive shqiptare, i cili kishte zgjatur vetëm 51 ditë, ishte ai midis LVV-së dhe LDK-së, i nënshkruar në vitin 2020 nga Albin Kurti, dhe Isa Mustafa.
Por, pas këtij koalicioni, tash e sa kohë partitë politike po hezitojnë të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëqeverisje, pavarësisht se vitin e kaluar Kosova ishte në një bllokadë politike për formimin e institucioneve, në mungesë të një shumice parlamentare.
Njohësi i rrethanave politike, Afrim Kasolli, vlerëson se partitë politike po u shmangen koalicioneve nga frika e mungesës së besimit për bashkëqeverisje dhe nga humbja e elektoratit.
“Arsyet pse ka një hezitim për koalicion midis partive shqiptare janë sepse është krijuar një klimë politike se koalicionet mund t’u kushtojnë në elektorat.”, tha Kasolli për rtv21
Ndërkohë, sipas këndvështrimit të analistes Arta Tahirit, edhe mosarritja e koalicioneve për formimin e institucioneve mund të ndikojë në humbjen e elektoratit.
“Nuk mund të jesh shumë i prerë në kalkulimet se një koalicion mund të sjellë rritje të votës apo ruajtje të saj.”, u shpreh ajo për rtv21
Zyrtarët e LVV-së kanë deklaruar se nuk do të kenë problem me numrin e votave për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, për shkak të rezultatit që kanë fituar në zgjedhjet e fundit. Ndërsa, për zgjedhjen e presidentit të ri, nuk e shohin si ndër prioritetet e para në këtë kohë.
Por analisti politik, Afrim Kasolli, paralajmëron se, në mungesë të bashkëpunimeve politike, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja pikërisht për shkak të postit të presidentit të ri.
“Për zgjedhjen e presidentit duhen 80 vota. LVV-ja, së bashku me minoritetet joserbe, nuk i ka numrat, prandaj do t’i duhet një marrëveshje.”
Ndërsa, sipas Arta Tahirit, presidenti i ri do të duhej të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli për t’iu shmangur pazareve politike.
“Unë mendoj se presidenti duhet të zgjidhet nga populli, sepse tradicionalisht po dëshmohet se zgjedhjet në këtë formë po bëhen përmes pazareve politike. Pastaj vendi po gjendet para krizave, kur po diskutohet se në mars ose prill mund të ketë sërish një proces tjetër zgjedhor.”
Për zgjedhjen e presidentit të ri, sipas Kushtetutës, së paku duhet të jenë dy kandidatë në garë. Secilit prej tyre paraprakisht i duhet t’i mbledhë nga 30 nënshkrime të deputetëve për t’i plotësuar kriteret. Por për votimin e presidentit është e domosdoshme që në sallë të jenë dy të tretat e deputetëve të zgjedhur, dhe në dy raundet e para të arrihet numri prej 80 votash., Vetëm në raundin e tretë zgjedhja e presidentit bëhet me shumicën e thjeshtë, pra me 61 vota./RTV21/21Media