FSK e gatshme të kontribuojë edhe përtej rajonit
Një vit që nga formimi i Ushtrisë së Kosovës
Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, një vit më parë miratoi tri ligjet që e ndryshuan mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.
Në një vjetorin e transformimit të FSK-së në ushtri, presidenti i Kosovës, njëherësh edhe komandanti i FSK-së, Hashim Thaçi tha se më 14 dhjetor të vitit të kaluar u përmbyll një proces i filluar më 2014.
“Me ndryshimet në Ligjin për FSK-në i dhamë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë. Tri ligjet që i hapën rrugë transformimit të FSK-së ishin ligjet që kanë marrë më së shumti vota ndonjëherë, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e tërë spektrit politik dhe vullnetin e tërë Kosovës për ta pasur ushtrinë tonë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij “Facebook”.
I pari i vendit u shpreh se Forca e Sigurisë së Kosovës si forcë profesionale me standarde të NATO-s, si forcë shumetnike që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, në tërë territorin e Kosovës, është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë.
“Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar aftësitë e veta dhe përgatitjen e lartë në misionet e kërkim-shpëtimit, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit. Ajo tash po i shton kapacitetet për detyra të reja, për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, por edhe për t’i ndihmuar aleatët tanë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes kudo që shfaqet nevoja”, ka shkruar Thaçi.
Ligjet që u miratuan më 14 dhjetor ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amandamentet e ligjeve u votuan një nga një.
Deputetët serbë në parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, kështu duke kundërshtuar formimin e Ushtrisë së Kosovës./21Media