FSK i bashkohet operacionit për kërkimin e trupit të mërgimtarit në Ujman

(Lajm i përditësuar)


AME thotë se kërkesa për FSK-në në Ujman u bë të hënën, për shkak të mungesës së kapaciteteve

Shefi i Agjencisë së Emergjencave, Genc Metaj, ka thënë se kërkesën për angazhimin e FSK-së në gjetjen e trupit të personit që është hedhur në Ujman e kanë bërë për shkak se me kapacitetet aktuale nuk kanë arritur ta gjejnë trupin deri më tash.

Metaj në një deklarim për media ka thënë se kërkesa është bërë të hënën, teksa shtoi se AME ka marrë të gjitha masat me kohë.

“Agjencia e Emergjencave si koordinuese me kohë ka marrë të gjitha masat, por me kapacitetet aktuale që kemi pasur nuk kemi arrit me sukses me gjet trupin e personit të humbur dhe për këtë arsye me të gjitha veprimet ndërinstitucionale kemi kërkuar edhe angazhimin e FSK-së të cilët sot kanë ardh dhe janë duke e kryer punën”, ka thënë ai.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se policia është duke asistuar në këtë operacion.

“Ne nuk kemi me shtu diqka, policia është këtu duke asistu, udhëheqësit e vendit të ngjarjes është AME-ja tash ka ardh FSK-ja edhe shpresojmë që së paku trupin do të gjejmë edhe ti pakësohet dhimbja familjes e cila ka humbur anëtarën e tyre të familjes”, ka deklaruar ai para mediave. /21Media


​Rama tregon rastet kur FSK-ja operoi në veri: Është obligim ligjor e human

Njësitë e specializuara për kërkim-shpëtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës po zhvillojnë operacion për gjetjen e një personi që dyshohet të jetë mbytur të dielën, më 27 korrik, në Liqenin e Ujmanit. Bëhet fjalë për një 33 vjeçar që u raportua se kërceu nga ura.

Kërkimi deri më tash është zhvilluar vetëm nga Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim. FSK-ja iu bashkua ekipeve në ditën e tretë të kërkimeve. Kjo u bë vetëm pas një bashkërendimi me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Dislokimi i trupave të FSK-së në veriun e banuar me shumicë serbe mund të bëhet vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it, në bazë të një zotimi që është bërë në vitin 2013 nga Qeveria e Kosovës dhe NATO.

Ujmani ndodhet në Zubin Potok – një prej katër komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Por, ish-komandanti i Forcës, Rrahman Rama kujton se kjo nuk është hera e parë që trupat e FSK-së shkelin në veriun e vendit për të kryer një operacion. Në një deklaratë për kp, Rama përmend tri raste të tilla – në kohën sa ai mbante uniformën ushtarake.

“Kemi qenë në 2014-ën në korrik, dhe në 2016-ën në pjesën në lumin Ibër të Zveçanit, dhe në deminim kemi qenë 2019-ën bashkërisht me KFOR-in… Kanë qenë operacione të kërkim-shpëtimit, operacioni i parë 2014-ën nëse ju kujtohet dy barka patën bërë ndeshje në liqe, rreth 4 serbë të rinj janë mbytur aty, më 15 korrik ka fillu, deri më 18 korrik kemi bërë kërkim shpëtim në liqenin e Ujmanit, e kemi pastaj 2016-ën, bashkërisht me KFOR-in, në lumin Ibër ku kemi gjetur një trup pajetë të një serbi, në komunën e Zveçanit”, thotë Rama.

Rrahman Rama thekson se FSK-ja e ka obligim ligjor e human të zhvillojë operacione të tilla, derisa përmend se Forca i ka njësitë e specializuara për kërkim-shpëtim, ndër më të mirat në rajon.

“Kjo është e zakonshme dhe patjetër që FSK-ja është në shërbim të qytetarëve, është obligim ligjor dhe moral”, thotë ai.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se më herët të martën se pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile në këtë rast.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes’, shkroi Maqedonci në Facebook.

Megjithatë, në vitin 2013 Kosova ishte angazhuar, përmes një letre nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, drejtuar NATO-s, që FSK-ja dislokohet në veri vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it.

“Ekziston një marrëveshje, e dimë të gjithë, mund të bëjmë politikë gjithë ditën, e dijmë edhe misioni ne KFOR-it, ekziston një marrëveshje, në bashkëkordinim, është normale, edhe ata janë në shërbim të qytetarëve këtu, pa dallim”, thotë ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.

Forca e Sigurisë së Kosovës është duke e zhvilluar transformimin në ushtri, proces ky që pritet të përfundojë deri në vitin 2028.


KFOR konfirmon se u dha leje FSK-së për operacionin në Ujman

KFOR ka konfirmuar se Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, i ka dhënë autorizim Forcën e Sigurisë së Kosovës që sot të zbarkojë në Veri të vendit për kërkim në Ujman ekipin për shpëtim-kërkim.

Sipas njoftimit të KFOR-it kërkimi në liqenin e Ujmanit për trupin e 33 vjeçarit do të bëhet derisa trupat e KFOR-it do të ofrojnë siguri gjatë gjithë operacionit.

KFOR në njoftim shkruan se ky autorizim për FSK-në, i bazuar në arsye humanitare, është dhënë në përputhje të plotë me “prerogativat dhe autoritetet e Komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të lokalizuar dhe shpëtuar një 33-vjeçar që dyshohet se është mbytur në liqen disa ditë më parë. Ai është i kushtëzuar nga kërkesat dhe paralajmërimet specifike të përcaktuara nga KFOR-i, të cilat gjithashtu do të ofrojnë siguri gjatë gjithë operacionit”.

Misioni i KFOR ka sqaruar se përdorimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit bie nën mandatin fillestar të FSK-së për kujdes ndaj komuniteteve lokale në rast të fatkeqësive.

“Përdorimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit të FSK-së bie nën mandatin fillestar të FSK-së, i cili përfshin mbështetjen për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”, përfundon njoftimi i KFOR-it. /21Media


Behrami: Urime shkuarja e radhës e FSK-së në veri, bazuar në marrëveshjen e Hashim Thaçit me NATO-n

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar operacionin për kërkimin e trupit të personit që dyshohet të jetë mbytur në Liqenin e Ujmanit.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai e ka uruar shkuarjen e FSK-së në veri të vendit, duke theksuar se kjo shkuarje është e bazuar në marrëveshjen e Hashim Thaçit me NATO-n.

”Urime shkuarja e radhës e FSK-së në veri, bazuar në marrëveshjen e Hashim Thaçit me NATO-n. E kam thënë: Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, çdo marrëveshje të Hashim Thaçit, nga Rambuje e deri te Marrëveshja e Uashingtonit: Një herë e kanë kundërshtuar, më pas e kanë demonizuar, më pas e kanë përqeshur. Më pas e kanë pranuar! Në fund e kanë promovuar!“, ka shkruar Behrami. /21Media


Maqedonci deklarohet për operacionin e FSK-së në Liqenin e Ujmanit

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci njoftoi se njësitet e specializuara të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes.”,  shkroi Maqedonci në Facebook./21Media


FSK i bashkohet operacionit për kërkimin e trupit të mërgimtarit në Ujman

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar operacionin për kërkimin e trupit të personit që dyshohet të jetë mbytur në Liqenin e Ujmanit.

Nga Ministria e Mbrojtjes i kanë thënë portalit rtv21.tv se ekipet e kërkimshpëtimit të Forcës, tashmë ndodhen atje.

“Komfirmojmë që me kërkesë të Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pas bashkërendimit në mes të Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të KFOR-it, trupat e FSK-së të njësisë së kërkim-shpëtimit, sot në mëngjes kanë filluar operacionit e kërkimit të trupit të personit që dyshohet të jetë mbytur në liqenin e Ujmanit. Ndonëse FSK me planin e reagimit kombëtar ështe reagues i tretë në këto fusha, për shkak të mungesës së këtyre kapaciteteve në nivel vendi, pjesëtarët tanë të specializuar për zhytje profesionale të kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë operacionin e kërkimit deri në gjetjen e trupit”, ka konfirmuar zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi. /21Media

Back to top button