“FSK ishte prezent edhe më parë në Ujman

Forca e Sigurisë së Kosovës iu bashkua aksionit në Liqenin e Ujmanit pas një kërkese me karakter humanitar. Për ndërhyrjen e FSK-së në veri, dritën e gjelbër e dha KFOR-i, në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 mes Qeverisë së atëhershme të Kosovës dhe NATO-s, e cila përcakton se FSK nuk mund të operojë lirshëm në veri pa miratimin e KFOR-it. Prezenca e FSK-së në veri të vendit këtë të martë u shoqërua me diskutime të shumta. U pretendua se ishte hera e parë që FSK zbarkon në atë zonë, por këtë e mohon ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati. Sipas tij, pjesëmarrja e FSK-së në operacionin pranë Liqenit të Ujmanit u shfrytëzua për qëllime politike.
“…dy herë ka shku sa kom qenë unë komandant, të dy rastet ka qenë operacion humanitar, në njërin kanë bërë aksident dy serb dhe kanë rënë në Liqenin e Ujmanit. Edhe një herë tjeter ka ndodhë një mbytje në veri. Nuk është ndonjë lajm spektakolar zbarkimi i FSK-së atje…”, tha ai.
Edhe Ish-gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli e konsideron të rëndomtë operacionin e sotëm të kërkim-shpëtimit në Liqenin e Ujmanit. Ai thotë se nuk është hera e parë që njësitet e specializuara të FSK-së intervenojnë në veri të vendit derisa përmend disa raste të tilla gjatë kohës sa ai ishte ushtarak.
“Lexova dhe dëgjova shumë sot, një bujë shumë e madhe për një operacion të rëndomtë. Nuk është hera e parë që Forca e Sigurisë së Kosovës intervenon në veri të vendit. Kemi pasur operacione të tilla edhe në të kaluarën që nga viti 2015, kemi pasur një rast të tillë në kërkim shpëtim, pastaj në ujëra kemi pasur edhe çështje të deminimit. Forca e Sigurisë së Kosovës i ka kapacitetet ndoshta më të mira në Ballkan në fushën e kërkim-shpëtimit urban, kërkim-shpëtimit malor dhe kërkim-shpëtimit në ujëra. Këto kapacitete që i kemi ngritur ndër vite është një angazhim shumë i madh i Forcës së Sigurisë së Kosovës, por paraprakisht është një ndihmesë e madhe e aleatëve tanë, të cilët na kanë ndihmuar që t’i ngritim”, thotë Veseli.
Pjesëmarrja e ushtrisë së Kosovës në këtë rast nuk është gjë e re as sipas njohësit të sigurisë Drizan Shalës. Sipas tij, kjo veçse e dëshmon kapacitetin dhe gatishmërinë e FSK-së për operacione të tilla.
“…Kërkesa aktuale është kërkesë humane, FSK ishte prezent edhe më parë në Ujman, kjo dëshmon faktin se FSK ka kapacitete të mjaftuara dhe nuk zbarkoi për herë të parë…”, tha Shala
Në vitin 2013 Qeveria e atëhershme e Kosovës nënshkroi marrëveshje me NATO-n, në bazë të së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it. Kjo marrëveshje mbetet ende në fuqi.
Edhe në raste të tjera, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar leje nga KFOR-i për përfshirjen e FSK-së në aksione të ngjashme, si në rastin e sulmit në kanalin e Iber Lepencit, por një kërkesë e tillë nuk ishte miratuar./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?