FSK-ja konfirmon se një pjesëtar i tyre është përfshirë mbrëmë në ngjarjen tragjike

(Lajm i përditësuar)


Reagon Sveçla: Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme

Ministri i Drejtësisë, Xhelal Sveçla ka reaguar pas rastit të mbrëmshëm në Prishtinë, ku u vra një person dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Si tha se raste të tilla nuk do të ndodhnin  se po të mos dështonte sistemi i drejtësisë

Duke iu referuar rastit të vrasjes së Marigona Osmanit, vepër për të cilën Dardan Krivaqës iu shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm, tha se nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë.

“Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer. Ndëshkimi erdhi vetëm pasi humbëm një jetë të re, atë të Marigonës. Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. “, shkroi Sveçla, përcjell portali rtv21.tv

Deri sa për rastin e mbrëmshëm tha se një person u vra nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë.

“Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetëra të rinj të tjerë. Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme! Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre.”, vijon reagimi i Sveçlës.

Më tej ai tha se është  koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por sipas tij mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal.

“Drejtësia është virtyt që duhet mbrojtur nga e tërë shoqëria, përfshirë aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët. Ndjenja e të drejtës duhet të jetë shqetësim për të gjithë ne. Shembujt e ndëshkimit të krimit shërbejnë edhe si mbështetje për rolin e policisë sonë. Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme!”, tha Sveçla.


FSK-ja konfirmon se një pjesëtar i tyre është përfshirë mbrëmë në ngjarjen tragjike

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) njofton se sipas informacioneve zyrtare ishte i përfshirë e një pjesëtarë FSK-së ishte i përfshirë në ngjarjen e mbrëmshme ku mbetën të plagosur dhjetëra persona dhe vdiq një.

FSK siguron se do të veprojë në bazë të ligjit pasi që të bëhet verifikimi i  të gjitha informative.

“Informacionet që janë duke qarkulluar në media për rastin e mbrëmshëm se i vrari është pjesëtarë i FSK-së, nuk janë të vërteta. Sipas informacioneve zyrtare në këtë ngjarje ishte i përfshirë edhe një pjesëtarë FSK-së. Forca e Sigurisë së Kosovës pas verifikimit të të gjitha informatave nga autoritetet kompetente të sigurisë, do të veproj bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi të FSK-së.”, thuhet në njoftimin e FSK-së.


Nga QKUK flasin për gjendjen e të plagosurve në “Bon Vivant”: Viktima kishte disa plagë

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla deklaroi sot se 17 persona kanë pranuar mbrëmë tretman mjekësor në Qendrën Emergjente si pasojë e plagosjes në lokalin “Bon Vivant”. Syla për tha se një person, edhe pas intervenimit kirurgjik nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Syla u shpreh se dy raste janë trajtuar në sallën e operacionit nga ekipet kujdestare të Kirurgjisë, ku njëri ka humbur jetën. Ai tregoi edhe për gjendjen e të lënduarve të tjerë, derisa tha se ata që kanë marrë trajtimin e nevojshëm, janë liruar për në shtëpi.

“Pas mesnate diku, mbrëmë janë pranuar në Qendrën Emergjente 17 pacientë, ku 7 prej tyre kanë qenë të lënduar me armë skllopetare apo me armë zjarri, kurse 10 të tjerë kanë qenë të lënduar me mjete të mprehta me pjesë të xhamave apo pjesë të tjera të forta që i kanë pasur aty…Për momentin, dy raste prej tyre janë masi janë kry të gjitha ekzaminimet e nevojshme, janë trajtuar në sallën e operacionit nga ekipet kujdestare të Kirurgjisë Abdominale, Kirurgjisë Vaskulare të Ortopedisë. Për fat të keq, njëri edhe pas intervenimit kirurgjik nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Kurse, katër raste të tjera, prej tyre janë pranuar në Klinikën e Ortopedisë, ku vazhdon tretmani tutje. Një tjetër është pranuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, këta janë në gjendje stabile, kurse rastet e tjera kanë marrë tretmanin e nevojshëm dhe kanë shkuar në shtëpi…”, tha Syla për kp.

Ai shtoi se personi që ka vdekur ka pasur plagë në pjesë të ndryshme të trupit.

“Lëndimet kanë qenë, plagët kanë qenë me armë zjarri, kanë qenë në pjesë të ndryshme të trupit dhe njëri prej tyre që ka ndërruar jetë ka pasur disa plagë në pjesë të ndryshme të trupit, kështu që ka ndërruar jetë… Mosha ka qenë të ndryshme, prej viteve të ‘80 deri në 2003.”, tha Syla.

Ndërsa, anesteziologia inteziviste kujdestare në mjekimin intensiv, Agreta Gashi u shpreh se vetëm personi që ka ndërruar jetë ka qenë në gjendje të rëndë.

Ajo tha se rastet e tjera janë trajtuar në klinika të tjera e jo në mjekim intensiv.

“Prej rastit te mbrëmshëm vetëm një pacient është trajtuar në mjekim intensiv, që do të thotë, vetëm njëri prej tyre ka qenë në gjendje të rëndë. Fatkeqësisht për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar nga plagosja me armë zjarri, nuk ka mundur t’i mbijetoi plagëve përkundër trajtimit kirurgjik, që i është bërë nga dy ekipe të kirurgëve dhe trajtimit në mjekim intensiv tek ne. Vdekja (është konstatuar) këtu, pas disa orëve që ka ardhur këtu, faktikisht në 6:45 në mëngjes. Prej mbrëmë janë trajtuar në klinika të tjera, por jo në mjekim intensiv, që do të thotë se nuk janë pacientë në gjendje të rëndë”, tha ajo.


Rasti tragjik në Prishtinë, reagon Haradinaj: Të krijohet urgjentisht Policia e Kryeqytetit!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se ngjarja tragjike që ndodhi mbrëmë në Prishtinë, e shtron nevojën urgjente për zbatimin e Ligjit dhe krijimin e Policisë së Kryeqytetit.
“Kur është miratuar Ligji për Kryeqytetin, njëra prej pjesëve më të rëndësishme të tij, ka qenë krijimi i Policisë së Kryeqytetit. Ngjarja tragjike e natës së mbrëmshme në një lokal në Prishtinë, me përmasa shqetësuese e pasoja të rënda, shumëfish e shtron nevojën e zbatimit të këtij Ligji dhe krijimin e Policisë së Kryeqyteti”, ka shkruar ai në Facebook.
Haradinaj ka bërë thirrje që të ndërmirren të gjitha masat për ndëshkimin e fajtorëve të këtij rasti të rëndë.
”Organet e rendit dhe ligjit të ndërmarrin të gjitha masat për ndëshkimin e fajtorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë, por si hap i parë i parandalimit të rasteve të tjera të ngjashme, që edhe mund të përsëriten, është krijimi i menjëhershëm i Policisë së Kryeqytetit”, ka thënë Haradinaj.
Si pasojë e një përleshje në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë mbetën të lënduar 17 persona derisa njëri prej tyre vdiq në QKUK.

Miftaraj për rastin në “Bon Vivant”: Sot llogari duhet kërkuar shefave të policisë dhe kryeprokurorëve

Duke iu referuar rastit të mbrëmshëm ku si pasojë e një përleshje në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë mbetën të lënduar 17 persona derisa njëri prej tyre vdiq në QKUK, Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi tha se raste të tilla parandalohen nëse policia dhe prokuroria nuk i mbyllin sytë., përcjell portali rtv21.tv

“Përgjegjësia pse ndodhin raste si mbrëmë ne Bon Vivant është e ditur. Këto vrasje janë të parandalueshme, nëse policia dhe prokuroria nuk i mbyllin sytë ndaj tyre duke mos i trajtuar dhe zgjidhur rastet ndaj tyre. Sot llogari duhet kërkuar shefave të policisë dhe kryeprokuroreve. Jo komunikata me shkrim por te dalin ne konference për media dhe te na informojnë se sa raste janë te hapura ndaj personave qe janë përfshirë ne rast, qe sa kohe janë këto raste te hapura, çka është ndërmarr, pse po ndodhin raste te tilla.”, shkroi Miftaraj në Facebook.

Ai përmendi edhe rastin “Kobra” në Prizren për të cilin tha së është me representativ kur deshton zingjiri polici-prokurori-gjykate.

“Për çudi sa me dështak shefi i policisë, kryeprokurori aq me shume shpejte ngriten ne pozita brenda sistemit ne kurriz të jetës se qytetareve të këtij vendi”, shkroi Miftaraj.


SHSKUK-ja tregon për gjendjen e të plagosurve në “Bon Vivant”

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK)  ka njoftuar rreth gjendjes së të plagosurve në përleshjen që ka ndodhur të premtën mbrëma në loaklin “Bon Vivant”, në Prishtinë.

Sipas SHSKUK-së,  5 persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë, përcjell portali rtv21.tv

“Prej tyre, 4 janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të gjithë jashtë rrezikut për jetë.Ndërkaq, përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor, një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror.Numri total i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ishte 17.Prej tyre, 7 të lënduar me armë zjarri dhe 10 me mjete të mprehta.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se i gjithë stafi i Klinikës Emergjente dhe klinikave të tjera kanë qenë në gjendje gatishmërie dhe kanë ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, bashkë me drejtorin e Klinikes Emergjente, Naser Syla.

“Për të ngritur gjendjen e gatishmërisë, ofruar mbështetje dhe për t’u interesuar për të lënduarit në Klinikën Emergjente ka qenë edhe drejtori i përgjithshëm i ShSKUK, Elvir Azizi,”,  përfundon njoftimi.


Vdiq një 39 vjeçar që u plagos mbrëmë në “Bon Vivant”

Ka vdekur  një nga personat e plagosur mbrëmë në një lokain “Bon Vivant”  në Prishtinë.

Lajmin për portalin rrtv21.tv e  konfirmoi doktori Shaqir Uka nga Klinika Intensive.

Ai tha se bëhet fjalë për një person 39 vjeçar

“Ai ishte nën kujdesin intensiv kishte intervenik kirurgjik por për shkak të lëndimeve të mëdha, fatkeqësisht ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm”,  deklaroi Uka

Policia në raportin 24 orësh njoftoi se 17 persona, tre burra dhe 14 gra, kanë marrë lëndime si pasojë e thyerjes së gotave-shisheve të qelqit.

“Rr. Xheladin Hana, Prishtinë 04.08.2023-20:17. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raport.


Përleshja në “Bon Vivant”, Syla: 17 të lënduar, një në gjendje të rëndë

17 persona janë lënduar në një përleshje që ka ndodhur të shtunën rreth orës 23:30 në  lokalin “Bon Vivant”  në Prishtinë.

Siç konfirmoi, Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, shtatë janë plagosur me armë zjarri derisa një është në rrezik për jetë.

“Krejt i kemi 17 të lënduar. 7 janë me armë zjarri kurse 10 janë me lëndime të tjera, me xhama ose mjete të tupitura. Të gjithë janë në gjendje stabile, ndërsa njëri është në sallë të operacioni dhe është në rrezik për jetë. Ndërsa, prej këtyre gjashtë të tjerëve, një nga ta pret që të hyjë në sallën e operimit, por gjendja e tyre është stabile. Mosha e pacientëve sillet prej vitit 1984 deri në 2003”, ka deklaruar Syla.

Rastin për portalin rtv21. tv e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prishtinës Agron Borovci.

I njëjti ka thënë  informacionet e para dyshohet se disa persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit apo edhe nga fragmente qelqi.

“Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore .Aktualisht së paku dy të dyshuar janë identifikuar si të implikuar në rast, përderisa po punohet edhe për identifikimin e të dyshuarve të tjerë të mundshëm.”, ka thënë Borovci.

Derisa RTV21 ka sigurar pamje nga vendi i ngjarjes./21Media

Back to top button