Ftesa për intervistimin e ish-prokurores së EULEX-it, Prokuroria del me sqarim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë sot me sqarim lidhur me ftesën për intervistim të ish-prokurores së EULEX-it Maria Bamieh.
Një gjë e tillë, sipas prokurorisë, është bërë duke vepruar konform dispozitave ligjore në fuqi, pasi bazuar në shkresat zyrtare që ka në posedim prokurorja e çështjes, më 03.06.2017, Bamieh i është hequr imuniteti nga Kombet e Bashkuara dhe e njëjta sipas legjislacionit vendor, është udhëzuar nga prokuroria të angazhojë një avokat vendor, i cili është i licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, për zhvillimin e mëtejmë të procedurës.
Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka ftuar ish-prokuroren e EULEX-it, Maria Bamieh për intervistim, pasi kjo e fundit mbajti një konferencë për media në Prishtinë.
“Ju njoftoj që sot menjëherë pas konferencës për shtyp një zyrtar policor më dorëzoi një ftesë për intervistim nga prokurorja Fitore Sadiku nën dyshimin që kam kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete”, kishte shkruar Bamieh në “Facebook”.
Gjatë konferencës, ish-prokurorja e EULEX-it ka rrëfyer në detaje lidhur me sinjalizimin e saj për rastet e dyshuara korruptive brenda këtij misioni ndërkombëtar. Asaj i ishte shkëputur kontrata parakohshëm për shkak të sinjalizimit./21Media

Back to top button