Funksionalizimi i komisionit për të pagjeturit, këto janë pritshmëritë

Një pajtim që arritën të bëjnë Kosova e Serbia, të enjten në Bruksel, po thuhet se do të mundësojë zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve, deri te personit i fundit që u zhduk me dhunë, gjatë kohës së luftës
Këtë optimizëm e kanë shoqatat e personave të pagjetur. Shpresat e tyre u ngjallën pas dakordimit që Kosova e Serbia arritën të enjten në Bruksel, me ndërmjetësim të BE-së, për funksionalizimin e komisionit të përbashkët për jetësimin e marrëveshjes në drejtim të zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë, numri i të cilëve është 1.591.
Sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) ishin 6.063 veta që konsideroheshin të zhdukur, në të përfunduar të luftës në Kosovë, më 1999.
Gjyle Haziri nga Shoqata “Zëri i Prindërve” tha për KosovaPress se mirëpret lajmin nga Brukseli dhe se beson se tani i ka ardhur fundi të gjitha manipulimeve të Serbisë në lidhje me këtë cështje të ndjeshme. Ajo pret që ky shtet t’i hapë, përfundimisht, arkivat dhe do t’i tregojë vendet ku mund të jenë varrosir personat e pagjetur.
“Na ka informuar Komisioni Qeveritar se është bërë një hap shumë i rëndësishëm, ku shpresojmë se do të ketë një marrëveshje ku sa më shpejt do të dihet edhe për trupin e fundit që na mungon për dekada… Pala serbe i ka ikur kësaj çështjeje, por tash i ka ardhur fundi gjithçkafit. Besoj se do të dakordohemi dhe pritet që të mbahen edhe takimet javën e ardhshme të komisioneve të Kosovës dhe Serbisë. Do të bëhet një hap i mirë për personat e pagjetur… Mundet të manipulojë, pasi ajo i ka të gjitha këto, por besoj se i ka ardhur fundi tash, ndoshta do të shkojë pak më ngadalë, por do të vijë dita që do t’i nxjerrin edhe arkivat, varrezat masive dhe të pagjeturit, sepse ata i kanë të gjitha të dhënat”, thotë ajo.
Komisioni i përbashkët kosovë-serbi për të pagjetur ishte formuar si rezultat i marrëveshjes mes kryeministrit Albin Kurti, dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, në maj të vitit 2023, gjatë një takimi në nivel të lartë në Bruksel.
Zhvillimin e takimit të parë të këtij mekanizmi e konfirmoi të premten, një ditë pas dakordimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, i dërguari i posaçëm për dialog, Peter Sorensen, përmes një komunikate.
Në të thuhet se qëllimi i këtij komisioni është të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit, e cila do të kontribuonte në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, përfshirë edhe personat e zhdukur me dhunë, të ofrojë të vërtetën për familjet dhe të ndihmojë paqen dhe pajtimin e qëndrueshëm.
“Qëllimi i Komisionit është të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës mbi Personat e Zhdukur, e cila synon të zbardhë fatin e personave të zhdukur, përfshirë ata të zhdukur me forcë, të japë mbyllje për familjet dhe të nxisë pajtim dhe paqe të qëndrueshme. Sipas Termave të Referencës, Komisioni mbështet Grupin Punues të kryesuar nga CICR, duke lehtësuar aktivitetet e palëve, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe shqyrtimin e progresit. BE-ja, Kosova, Serbia ose CICR mund t’i referojnë Komisionit çështje lidhur me zbatimin, interpretimin e Deklaratës ose mosmarrëveshjet brenda Grupit Punues, përfshirë shqyrtimin e Termave të Referencës dhe Kornizës së Përgjithshme, nëse nuk arrihet konsensus. Çdo vendim mbi çështjet e diskutueshme të referuara Komisionit do t’i kthehet Grupit Punues për miratim dhe zbatim. BE-ja ka pritshmëri që Komisioni të japë një kontribut të rëndësishëm në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe të ndihmojë familjet të mbyllin një kapitull të dhimbshëm”, thuhet në deklaratën e Sorensenit.
Për funksionalizimin e këtij komisioni njoftoi të enjten mbrëma kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi, pas takimeve disasorëshe me homologun e tij serb, në Bruksel.
Ai tha se qëllimi është jetësimi i marrëveshjes për personat e pagjetur, derisa bëri të ditur se javët e ardhshme do të ketë takime të tjera në Bruksel, në nivel më të ulët, për t’i përcaktuar prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët.
“Qëllimi ishte të arrijmë dakordim të funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin apo zbatimin e marrëveshjes për personat e pagjetur mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe më në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv. Tani ka mbetur që në javët e ardhshme të takohen zëvendësit tanë dhe që të përcaktojnë prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”, ka thënë ai.
Por, pjesëmarrja e Bislimit ne dialog me Serbinë, derisa nuk është formuar qeveria e re, po kontestohet nga ish diplomatja, Alma Lama., që thotë se për aq kohë sa në Kosovë nuk ka një ekzekutiv legjitim, dialogu nuk mund të prodhojë ndonjë rezultat konkret për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit, të dakorduar në vitin 2023.
“Mendoj që janë takime krejtësisht formale. Sa kohë që në Kosovë nuk ka një qeveri legjitime, edhe pse duket që do të jetë vazhdimësi e qeverisë së kaluar, nuk mund të prodhojë ndonjë gjë ky dialog, por sigurisht që Bashkimi Evropian i thërret këto takime për ta mbajtur gjallë, si të thuash, procesin e dialogut edhe në momentet kur ai nuk prodhon ndonjë gjë. Është evidente që përfaqësuesi i Bashkimit Evropian që ndërmjetëson dialogun me Kosovën ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve”, thotë ajo.
Takimi i së enjtes në Bruksel, në nivel kryenegociatorësh, ndodhi pas vizitës së javës së kaluar të të dërguarit të BE-së për dialog, Peter Sorensen, në Kosovë dhe Serbi.