​Kurti: Po punojmë në padinë për gjenocid

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjenocidi i Serbisë në Kosovë as nuk harrohet e as nuk falet.

Duke kërkuar drejtësi për ata që kanë urdhëruar gjenocidin dhe ata për ata që e kanë kryer atë, Kurti tha kjo do të ishte rehabilitim për viktimat.

Kurti gjithashtu tha se dëmi më i madh që i bëhet paqes dhe pajtimit në Ballkan janë të cilët e mohojnë gjenocidin.

“Në Kosovë ka pasur gjenocid në pranverën e vitit 1999. Ky gjenocid as nuk harrohet, as nuk falet, as nuk shlyhet, andaj e rëndësishme është drejtësia për urdhërdhënësit, për ekzekutorët në mënyrë që të kemi rehabilitim për viktimat e në të njëjtën kohë është e rëndësishme që të mos mohohet gjenocidi. Sot dëmi më i madh që i bëhet paqes, pajtimit, jo vetëm drejtësisë në rajonin e Ballkanit, janë ata të cilët e mohojnë gjenocidin e kryer në Kosovë ndaj shqiptarëve nga forcat e regjimit të Jugosllavisë e të Serbisë së Millosheviqit”, tha Kurti.

Ndërkaq i pyetur nëse do të jetë e përfshirë në Strategjinë për Drejtësinë Tranzicionale padia për gjenocid dhe nëse ka ndonjë afat që kur do të jetë e gatshme kjo, Kurti tha se njëjta është në përfundim dhe se ajo do të sillet në mbledhjen e Qeverisë.

“Është pothuajse në përfundim Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale dhe ajo padyshim që nga Ministria e Drejtësisë dhe profesionistët e saj do të vije në mbledhje të Qeverisë së Kosovës”, tha Kurti.

Kurti këto komente i bëri pas ceremonisë së pranim-dorëzimit të dokumenteve të para në Institutin e të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.


Funksionalizohet Instituti i Krimeve të Luftës, dorëzohen dokumentet e para

Është bërë dorëzim-pranimi i dokumenteve të para në Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti tha se nga sot secili mund të dorëzojë materiale të mbledhura mbi krimet e ndodhura gjatë luftës, e që Instituti do t’i arkivojë.

“Për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë kemi themeluar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë. Krahas institucioneve shtetërore, nga sot dokumentuesit dhe hulumtuesit e pavarur, shoqëria civile, ekspertët e jashtëm. Mediat, gazetarët e qytetarët kanë institutin që i pret materialet e dëshmitë e mbledhura. Këto materiale do të arkivohen, do t’i shërbejnë institutit në hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Që sot ju ftoj të bashkoheni në këtë nismë. Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në parandalimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen, që ta ndërtojmë një shoqëri më paqësore”, ka thënë ai.

E kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZHK), Ahmet Grajçevci, tha se për 25 vite kanë pasur vështirësi të mëdha në mbledhjen e dëshmive e në ruajtjen e tyre.

Ai tha se më themelim e këtij Instituti tashmë kanë një derë hapur.

Back to top button