“Fushata” e presidentes Osmani për një mandat të dytë?

Ndërsa po i afrohet përfundimi i mandatit pesëvjeçar dhe po flitet se emri i saj mund të propozohet edhe për një mandat të dytë, presidentja Vjosa Osmani gjatë ditës ka publikuar një video përmbledhëse të takimeve zyrtare, me mbishkrimin: “Kur Kosova flet me dinjitet, bota dëgjon. Zëri i Kosovës po fuqizohet çdo ditë. Shpërndaje edhe ti, që ta dëgjojnë të gjithë.”

Ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, vlerëson se presidentja Osmani ka nisur parafushatën e saj për një mandat të dytë. Kritikon edhe gjuhën e përdorur nga presidentja Osmani gjatë paraqitjes në disa raste publike kur ka thënë se nëse nuk e votojnë do t’i ketë përballë politikisht në zgjedhjet e ardhshme.

“Kjo paraqitje është e habitshme se si me njëfar llojë fryme triumfaliste përpiqet të bëjë një fushatë parazgjedhore para se të vije momenti tek zgjedhja e presidentit të ri.”, u shpreh ai për rtv21

Presidentja ka shfaqur sinjale se synon edhe një mandat të dytë, por partitë politike, sidomos Lëvizja Vetëvendosje me të cilën ishte në partneritet politik para se të zgjedhej presidente, ende nuk kanë dhënë asnjë sinjal se do ta mbështesin për një mandat të dytë. Kryetari i LVV-së ka deklaruar se aktualisht ka prioritete të tjera.

Ndërsa, deputeti i zgjedhur i LVV-së, Mefail Bajqinovci, tha për RTV21se janë në pritje të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për të nisur pa vonesa formimin e institucioneve, Kuvendit dhe Qeverisë.

“Po presim certifikimin e rezultateve, po shpresoj se nuk do të ketë shumë ankesa dhe të fillojmë menjëherë me themelimin e institucioneve. Hapi i parë është themelimi i Kuvendit dhe trupave të Kuvendit. Pastaj, menjëherë, të formohet Qeveria e re në krye me kryeministrin Kurti dhe të vazhdojmë punën, sepse na presin shumë punë, duke e ditur se buxheti duhet të votohet, pasi rreth 85 mijë shërbyes në institucionet e Kosovës do të mbesnin pa paga. Nuk besoj se do të ketë problem sa i përket votimit të Qeverisë dhe besoj se gjithçka do të ecë mbarë.”

Ndërsa, për zgjedhjen e presidentit të ri, deputeti Bajqinovci nuk ka dhënë asnjë sinjal nëse do ta përkrahin apo jo Vjosa Osmanin edhe për një mandat të dytë.

“Kjo është faza e tretë. Faza e parë është konstituimi i Kuvendit, pastaj formimi i Qeverisë Kurti 3. Faza e tretë do të jetë në muajin mars ose prill dhe do të ketë të bëjë me çështjen e presidentit. Deri në atë fazë nuk mund të them asgjë, sepse është hipotetike të jap ndonjë deklaratë kur nuk e dimë se si do të rrjedhin gjërat. E rëndësishme është themelimi i institucioneve.’’

Ndërkohë, në PDK kanë thënë se ende është herët të merret një qëndrim nëse do ta votojnë presidentin e ri. Sipas tyre, kjo varet nga arritja e një marrëveshjeje politike dhe nga emri i kandidatit që do të propozohet për këtë post. Edhe në LDK dhe AAK kanë deklaruar, prapa kamerave, se ende nuk kanë një qëndrim të qartë sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri.

Ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, kërkon nga partia fituese e zgjedhjeve, LVV-ja, që të bëjë marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas tij, për t’iu shmangur zgjedhjeve, do të duhej të propozohej një emër konsensual për president, i cili do të ishte mirë të propozohej nga partitë e opozitës.

“Pres që të kemi marrëveshje, të mos ketë kokëfortësi dhe imponim të një emri të veçantë nga partia fituese, e cila më pas do të presë nga partitë e tjera të votojnë, të abstenojnë apo të bëjnë kuorumin. Për t’iu shmangur të gjitha zvarritjeve që i kemi parë vitin e kaluar, partia fituese do të duhej të pranonte një emër konsensual. Do të ishte mirë që emrin e presidentit të ri ta propozonin partitë opozitare, në mënyrë që figura e presidentit, e cila përfaqëson shtetin dhe përbashkimin, të jetë figurë e pranueshme një figurë intelektuale.”, theksoi ai.

Presidentja Vjosa Osmani më 4 prill ishte zgjedhur për një mandat pesëvjeçar. Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Nëse deri më 5 mars nuk zgjedhet presidenti i ri, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh./RTV21/21Media

Back to top button