Gashi: LVV ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, vlerëson se nuk ka më asnjë dyshim se “Lëvizja Vetëvendosje ka plan bllokimin e institucioneve”.

Ai përmes një postimi në Facebook përmendi bllokimin e Kuvendit te pika e zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit joshumicë serb.

“Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim. Këtë e pamë qartë edhe dje: sapo u zgjodh Kryetari i Kuvendit, VV nisi obstruksionet duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re për muajt e ardhshëm. Me vetëdije, kërkuan nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që qartë thotë se duhet të zbatohet rendi i ditës i përcaktuar për seancën konstituive. Pasi nuk patën sukses në tërësi, vendosën të përqendrohen te nënkryetari serb – duke shfrytëzuar ndjeshmërinë dhe duke llogaritur se reagimi i partive tjera do të ishte më i zbehtë”, shkroi Gashi në Facebook.

Në fund ai bëri thirrje që Kuvendi të konstituohet.

“Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional. Politika ka rënë në pikën më të ulët, ku shihet vetëm përfitimi momental, jo siguria dhe interesi i shtetit e i shqiptarëve të Kosovës. LDK ka qenë dhe do të mbetet forca vizionare, përgjegjëse dhe zgjidhëse e situatave”, ka shkruar Gashi. /21Media

Back to top button