Gashi: Obiliqi është bërë qytet i sportit, i kulturës dhe i të rinjve

Komuna e Obiliqit ka mbajtur seancë solemne në përvjetorin e Ditës së Çlirimit. Në këtë mbledhje është kujtuar dhe nderuar sakrifica e grave dhe burrave nga ky vend që dhanë jetën për liri.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha se kjo ditë kujton sakrificën e dëshmorëve të rënë për liri.
“Kjo është një ditë që na kujton sakrificën e popullit tonë për liri dhe për një jetë më të mirë. Në këtë ditë të shenjtë, me respekt të madh kujtojmë dëshmorët dhe martirët që dhanë jetën për lirinë tonë. Kujtojmë me nder të gjithë burrat dhe gratë e Obiliqit që u bashkuan me luftën çlirimtare, krahas komandantit legjendar Adem Jashari, për të sjellë lirinë që ne sot e gëzojmë. Sot, pas 26 vitesh, Obiliqi ka ndryshuar shumë. Po zhvillohet çdo ditë kemi ndërtuar sheshe të bukura, parqe të gjelbëruara, shkolla e rrugë të reja, qendra kulturore dhe fusha sportive. Obiliqi është bërë qytet i sportit, i kulturës dhe i të rinjve një vend ku po punohet për një të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Gashi.
Në mbledhjen solemne të Kuvendit Komunal të Obiliqit, për nder të Ditës së Çlirimit, kryesuesja Vlora Mjekiqi-Kabashi tha se para më shumë se dy dekada ky vend ishte territor i pushtuar i Kosovës.
“Më 14 qershor te vitit 1999, pas më shumë se një shekull robërie, u çlirua komuna jonë e Obiliqit. Çdo gjë ishte shkatërruar nga pushtuesi barbar, ishin vrarë shumë njerëz, shumë të tjerë ishin përzënë me dhunë nga shtëpitë. Por, më në fund, me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, e cila kishte marrë përsipër fatin e popullit dhe të vendit, si dhe me ndihmën e shteteve demokratike të botës, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi ynë Kosova u çlirua dhe bashkë me të u çlirua edhe komuna e Obiliqit”, tha ajo.
Anëtari i Kuvendit Komunal nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Xhelal Krasniqi theksoi se kjo ditë ka rëndësi të madhe.
“Ne vërtetë si popull kemi shumë festa dhe si të të veçanta që i shënojmë me krenari. Por festa e çlirimit është një ditë që qëndresa shekullore u bë realitet. Si përfaqësues i AAK-së dhe si qytetar i Komunës së Obiliqit ndjej kënaqësi dhe nder që së bashki me ju po e shënojmë këtë ditë shumë të rëndësishme për ne”, shtoi ajo.
Pas seancës solemne, janë bërë homazhe pranë pllakë përkujtimore “Dëshmorët e Kombit”. /kp