Gashi: S’ka dëshmi që Basara është i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit

 

Avokati i njërit prej të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Tomë Gashi ka thënë se në këtë rast po u shkelen të drejtat të akuzuarve pasi vrasja e politikanit serb ka ndodhur që tri vjet ndërkohë që të akuzuarit po mbahen në paraburgim për më tepër se 16 muaj.

Pas mbarimit të seancës fillestare, Gashi ka thënë se nuk ka asnjë fakt që klienti i tij, Rade Basara është i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit.

“Flas për klientin tim Rade Basara, akuza ndaj tij i ka 8 rreshta të papërcaktuar se në kohën e vrasjes së Ivanvoiqit ai ka qenë në Kroaci tek familja e tij. Involvimi i Rade Basara në këtë situatë është sipas tyre se ai si hetues i Policisë së Kosovës ka mundur të ketë ndërlidhje me ata që e kanë organizuar vrasjen. Nuk ka asnjë fakt që Basara është i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit”, ka thënë më tutje ai.

Ai ka shtuar se kërkesa e tij është permanente por siç ka thënë gjykata nuk ka pasur mundësi të vendos pa propozimet apo deklarimin e prokurorit që ai të lirohet nga paraburgimi dhe në këtë rast Rade është duke u dënuar dhe jo duke u mbajtur në paraburgim.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave të nacionalitetit serb, Marko Rashiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara të cilët ngarkohen me veprat penale, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, posedim i paautorizuar i armës, zbulim i fshehtësisë zyrtar dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare duke manipuluar me prova.

Kreu i partisë Liri, Demokraci, Drejtësi, Oliver Ivanoviq u qëllua për vdekje para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë më 16 janar të vitit 2018./21Media

Back to top button