Gati një metër borë në Kaliforni
Stuhi të fuqishme kanë goditur rajonet perëndimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke lënë mijëra persona pa energji elektrike e duke shkaktuar kaos dhe frikë nëpër rrugë.
76 centimetra borë ranë në disa pjesë të Kalifornisë veriore në 24 orët e fundit, duke sjellë ngecje të mëdha të trafikut, por edhe ndërprerje masive të energjisë elektrike.
Shërbimi Kombëtar i Meterologjisë në Nevada njoftoi se stuhitë e borës do të mbeten të ashpra edhe tutje, duke paralajmëruar se udhëtimi mund të vështirësohet në rajon për disa ditë me radhë. Në 6 shtete janë në fuqi paralajmërimet për ortekë. Njoftohet po ashtu për aksidente rrugore, ku të paktën 20 automjete janë përplasën me njëra-tjetrën në afërsi të Renos, për shkak të dukshmërisë tejet të ulët në rrugë.
Ndërprerjet e energjisë elektrike ndërkaq janë regjistruar në Uashington, Oregon dhe zona të tjera, por më e goditura prej tyre mbetet Kalifornia Veriore. Në Montana ndërkaq, ekspertët paralajmëruan për erëra të acarta. Erëra të tilla mund të bëjnë që temperaturat të ndihen sikur janë minus 48 gradë Celsius, njoftojnë mediat botërore./21Media