BE, gati ta mbështesë Italinë për emigrantët

Presioni i Italisë ka dhënë efekt

Paralajmërimeve të saj se mund t’ua mbyllë portet anijeve në operacionet e shpëtimit të emigrantëve, Bashkimi Europian iu përgjigj me gatishmërinë për të ndihmuar në lehtësimin e barrës që bie mbi shpatullat e Romës.

“Italia është nën një presion të madh. Ne duhet ta pranojmë dhe t’i garantojmë asaj mirëkuptim e mbështetje të plotë. Pjesa dërrmuese e njerëzve që vijnë në Europë kalojnë nëpërmjet Italisë, e shumica janë emigrantë të parregullt. Italia ka të drejtë, gjendja është mjaft e vështirë dhe këtë e pranuan të premten të 28 udhëheqësit e vendeve anëtare të bllokut”, tha Dimitris Avramopoulos, komisioner i BE-së për Emigracionin.

Avramopoulos thotë se duhet kaluar në veprim. “Roma duhet të ndërmarrë masa për përshpejtimin e procedurave e të menaxhojë emigrantët në territorin e saj. Ne jemi gati ta shtojmë mbështetjen për të, duke përfshirë, nëse do të jetë e nevojshme, edhe rritjen e mbështetjes financiare”, tha Dimitris Avramopoulos. Që prej vitit 2014, në Itali kanë mbërritur gjysmëmilion emigrantë me anije dhe një shifër rekord e tyre u shënua vetëm vitin e kaluar, me 181 mijë.

Ambasadori italian në BE, Maurizio Massari ishte takuar më herët me Avramopoulos për ta informuar mbi seriozitetin e situatës, e për t’i thënë se Europa nuk mund t’i kthejë shpinën vendit të tij.

Back to top button