Gaxherri: Nuk mundet LVV-ja ta zgjedhë presidentin që do vetë, pa marrëveshje nuk ka votë

Kandidatja për deputete nga LDK, Besa Gaxherri, për RTV21 tha se pa marrëveshje politike nuk duhet të votohet asnjë kandidat i LVV-së për president. Sipas saj, partitë politike nuk duhet të pranojnë imponime nga LVV-ja për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Duhet t’i tregojmë zotit Kurti se pa marrëveshje politike asnjë votë nuk mund ta marrë për asgjë, sepse kjo është demokracia. Prandaj, edhe për çështjen e presidentit, zoti Kurti duhet të ulet me partitë opozitare, cilindo që e dëshiron ai, dhe të bëjë marrëveshje politike. Nuk mundet ta zgjedhë presidentin që e do vetëm LVV-ja, nuk mund t’i ketë të gjitha postet zyrtare LVV-ja dhe nuk mundet t’ia imponojë askujt që t’ia japë votën për presidentin. Unë besoj se LDK-ja shumë shpejt do të dalë me një qëndrim se për çdo votë të LDK-së për presidentin duhet të ketë marrëveshje politike.”, tha Gaxheri./RTV21/21Media

Back to top button