“Gabimi i Osmanit ndaj LDK-së ishte i rëndë”, A ka vend për të në parti?

(Lajm i përditësuar)

“Gabimi i Osmanit ndaj LDK-së ishte i rëndë”, A ka vend për të në parti?

Besa Gaxherri nga LDK-ja, në ”Click” të RTV21 ka folur për mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmanit në parti, duke theksuar se fillimisht duhet diskutuar me vetë Osmanin dhe më pas me strukturat e partisë.

“Për çdo shqiptar dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në LDK, edhe pse gabimi i Vjosa Osmanit ka qenë shumë i rëndë për LDK-në, kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për reflektim. Për rikthimin e saj duhet një reflektim i thellë nga ana e Osmanit,” tha Gaxherri.

Ajo shtoi se vendimi për të diskutuar rikthimin e Osmanit duhet të merret me kujdes dhe transparencë, duke vlerësuar interesin e partisë dhe kontributin e çdo anëtari.


Gaxherri: Kurti ka një mision të dëmshëm për Kosovën

Besa Gaxherri nga LDK-ja  ka deklaruar se nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, partia e saj do t’u kërkojë qytetarëve që të mos ia japin votën kryeministrit Albin Kurti.

Ajo tha se shpreson që qytetarët ta “dënojnë me votë” qeverisjen aktuale, duke shtuar se LDK do t’i argumentojë para qytetarëve pse, sipas saj, nuk duhet të mbështetet më Kurti.

“Shpresoj që qytetarët ta dënojnë me votë. Nëse do të shkojmë në zgjedhje, do t’i lusim qytetarët dhe do t’ua argumentojmë pse nuk duhet t’ia japin votën Albin Kurtit. Nuk kemi nevojë t’ia humbim kohën vendit dhe të bëjmë shpenzime të panevojshme”, tha Gaxherri.

Ajo shtoi se, sipas saj, problemi nuk është vetëm fakti që Kurti është në qeverisje, por bindja që, sipas saj, po forcohet se ai ka një mision të dëmshëm për Kosovën.


Gaxherri: Osmani nuk ishte opsion për Kurtin, synimi ishin zgjedhjet

Besa Gaxherri nga LDK-ja në ”Click” të RTV21, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk ka qenë i gatshëm të propozojë Vjosa Osmanin për presidente, duke shtuar se qëllimi i tij ka qenë që vendi të shkonte në zgjedhje.

Sipas saj, Kurti ka pasur disa propozime, por asnjëherë nuk e ka propozuar Osmanin për postin e presidentes dhe nuk ka qenë i gatshëm as të propozojë një kandidat konsensual.

“Kurti ka pasur propozime, por asnjëherë nuk e ka propozuar Vjosa Osmanin për presidente. Ai nuk ka qenë i gatshëm as të propozojë një kandidat konsensual dhe as të kërkojë mbështetje për kandidatët e propozuar nga Vetëvendosje. E gjithë kjo ka qenë një lojë e Kurtit, pasi qëllimi i tij ka qenë që vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Gaxherri.

Ajo shtoi se LDK ka qenë e gatshme të mbështesë një kandidat konsensual për postin e presidentit të vendit.


Gaxherri: Vendi në krizë, Kurti dhe VV po i shkaktojnë rreziqe Kosovës 

Besa Gaxherri nga LDK-ja në ”Click” të RTV21  ka deklaruar se partia e saj do ta respektojë çdo vendim që merr Gjykata Kushtetuese lidhur me çështjen e fundit institucionale.

Ajo tha se LDK fillimisht kishte vlerësuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani ishte akt kushtetues dhe se për këtë qëndrim kishte pasur unitet, duke u bazuar edhe në deklaratat e kryeministrit Albin Kurti. Megjithatë, sipas saj, tashmë Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim për moratorium lidhur me Kuvendin dhe institucionet duhet të presin vendimin përfundimtar.

“LDK nuk i ka komentuar asnjëherë vendimet e Gjykatës, edhe atëherë kur ato kanë qenë kundër nesh. Ne gjithmonë i kemi respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe kështu do të veprojmë edhe tani, pavarësisht se cili do të jetë vendimi”, tha Gaxherri.

Ajo kritikoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se kjo parti reagon ndaj vendimeve kur ato nuk i pëlqejnë.

Sipas Gaxherrit, vendi ndodhet në një krizë të thellë politike tash e më shumë se një vit, ndërsa për këtë situatë ajo fajësoi kryeministrin Albin Kurti dhe qeverisjen e tij.

“Mosserioziteti dhe papërgjegjësia e Kurtit dhe e Vetëvendosjes e kanë shkaktuar dhe po vazhdojnë t’i shkaktojnë rreziqe vendit”, u shpreh ajo./RTV21/21Media

Back to top button