Gazetarët tregojnë se u rrahën me kabllo elektrike dhe kamxhik nga talebanët

Gazetarët në Afganistan thonë se ata janë ndaluar dhe rrahur nga talebanët kur përpiqeshin të mbulonin protestat.
Fotografitë që qarkullojnë në internet tregojnë dy gazetarë nga gazeta “Etilaatroz” me mavijosje pas arrestimit të tyre në Kabul.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) u ka bërë thirrje talebanëve të lejojnë mediat të veprojnë lirshëm.
Të mërkurën, raportohet se edhe ekipi i BBC-së gjithashtu u pengua.
Fotografi i “Etilaatroz”, Nematullah Naqdi dhe reporteri Taqi Daryabi u arrestuan në një protestë të vogël në Kabul të mërkurën.
Më pas, ata u dërguan në një stacion policie në Kabul, ku thonë se u rrahën me shkopinj, kabllo elektrike dhe kamxhik. Disa orë më vonë, ata u lanë të lirë nga talebanët, pa asnjë shpjegim, transmeton rtv21.tv.
“Njëri prej talebanëve më vuri këmbën në kokë, më shtypi fytyrën për betoni. Më goditën me kokë … Mendova se do të më vrisnin”, tha Naqdi për agjencinë e lajmeve AFP. Ai pyeti pse po e rrihnin, ndërsa përgjigja e talebanëve ishte “Ju jeni me fat që nuk iu prenë kokat”.

CPJ, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, tha se të paktën 14 gazetarë ishin arrestuar dhe më pas ishin liruar gjatë dy ditëve të fundit.
Në fillim të kësaj jave, talebanët, të cilët morën kontrollin e Afganistanit në një ofensivë gjithëpërfshirëse më shumë se tre javë më parë, njoftuan formimin e një qeverie të përkohshme të përbërë plotësisht nga burrat për të sunduar vendin.
Që atëherë, ata kanë ndaluar në mënyrë efektive protestat, duke i shpallur ato të paligjshme nëse nuk kërkohet leje nga ministria e drejtësisë./21Media

Back to top button