Gerard McGurk emërohet Shefi i ri i Misionit të OSBE-së në Kosovë

Ambasadori Gerard McGurk, është emëruar Shefi i ri i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe ka marrë zyrtarisht detyrat e tij sot, njofton OSBE-ja
Ai ka thënë se është i përkushtuar të përmbushë misionin e tij me qëllim të përmirësimit të qeverisjes së mirë
“Këto përvoja kanë formësuar qasjen time ndaj diplomacisë, duke u përqendruar në dialogun gjithëpërfshirës, partneritetin, respektin dhe bashkëpunimin. Këto janë virtyte që janë të rrënjosura thellë në punën e OSBE-së këtu. Si Shefi i ri i Misionit, jam i përkushtuar të ndërtoj mbi punën e jashtëzakonshme të paraardhësve të mi në përmbushjen e mandatit kryesor të Misionit për të përmirësuar qeverisjen e mirë, për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut dhe të komunitetit, si dhe për të rritur sigurinë publike për të gjithë”, tha Ambasadori McGurk.
Përvoja e mëparshme diplomatike e Ambasadorit McGurk përfshin angazhim të gjerë në menaxhimin e krizave, marrëdhënie ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe në një sërë rajonesh, nga Madridi, Amani dhe Shkupi deri te Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Ambasadori McGurk ishte pjesë e Ekipit të Statusit Përfundimtar të Qeverisë Britanike në lidhje me punën e të Dërguarit Special të OKB-së Martti Ahtisaari (2005-2007).
Ai po ashtu ishte edhe Zëvendësdrejtor dhe Kryetari i Departamentit të Sigurisë dhe Rezistencës në Zyrën e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO) dhe Zëvendësdrejtorit të Rrjetit dhe Performancës.
Ai drejtoi Shtyllën Konsullore në Task Forcën për Afganistanin në Londër, duke luajtur një rol kritik në udhëheqjen e krizës gjatë evakuimit ndërkombëtar të profilit të lartë nga Kabuli në gusht-shtator 2021. Ai ishte pjesë e Misionit të Mbretërisë së Bashkuar në Kombet e Bashkuara në Nju Jork si përfaqësues i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në Komitetet e Sanksioneve për Irakun dhe Al-Kaidën. Ai u vendos në Irak për të punuar me Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit (CPA) në verën e vitit 2003. Detyra e tij e parë jashtë shtetit ishte në Ambasadën Britanike në Athinë, Greqi, në vitin 1991.
Siç njofton OSBE në Kosovë, Ambasadori McGurk ka një diplomë Master në Administrim Biznesi (MBA) nga Universiteti i Hapur në Mbretërinë e Bashkuar. Përveç gjuhës amtare, anglishtes, ai flet maqedonisht dhe pak spanjisht. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Në rolin e tij si Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ai pason Ambasadorin Michael Davenport të Mbretërisë së Bashkuar./21Media