Gërvalla: Çështja më urgjente dhe më sfiduese për sigurinë e vendit tonë janë Serbia dhe Rusia

Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në përbërje të të cilit është edhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti dhe përfaqësues nga FSK-ja, po merr pjesë në konferencën dyditore “Defence 24 Days”.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media nga MPJD ku thuhet se në këtë konferencë rëndësi të madhe i kushtohet çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë, sfidat dhe situatën aktuale dhe të ardhshme gjeopolitike, parandalimin dhe mbrojtjen në epokën e luftës.

“Si një prej konferencave më të mëdha dhe më të rëndësishme të sigurisë në Evropë, “Defence24 Days” është një mundësi e mirë e diskutimit mes përfaqësueseve më të lartë shtetërorë, ekspertëve, civilëve dhe ushtarakëve, rreth sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë. Përmes diskutimeve në panele Republika e Kosovës do të paraqesë pikëpamjet, angazhimin dhe kontributin e saj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatën për media nga MPJD.

Gërvalla në kuadër të kësaj konference zhvilloti takime me udhëheqës të lartë të Polonisë, të shteteve tjera pjesëmarrëse në konferencë, përfaqësues të institucioneve rajonale dhe globale, civile dhe ushtarake.

“Çështja më urgjente dhe më sfiduese për sigurinë e vendit tonë janë sot Serbia dhe Rusia, pasi që fantazmat e së kaluarës janë ende gjallë, ata që shkaktuan luftëra dhe gjenocid 25 vjet më parë janë ende aktiv. Prandaj paqja në Evropë mund të sigurohet vetëm duke ndalur të gjithë së bashku Rusinë dhe Serbinë”, tha para qindra pjesëmarrësve në panelin e parë të konferencës dy ditore “Defence 24 Days”, tha Gërvalla.

Duke diskutuar rreth temës “Siguria Rajonale – Sfidë për Evropën”, bashkë me përfaqësues të shteteve tjera, nën moderimin e Robert Pszczel nga Organizata për Studime Orientale (OSË), Ministrja Gërvalla foli edhe rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë, mendësinë e saj të shekullit të kaluar, mungesën e demokracisë dhe pretendimet e saj, të njëjta me të Rusisë jo vetëm për të pushtuar territore të shteteve fqinje, por edhe për të dëbuar qytetarët dhe për të shkatërruar kulturën dhe trashëgiminë e këtyre shteteve.

Ajo më pas foli edhe për qeverinë e re të Serbisë duke thënë se Serbia ka emëruar qeveri të luftës, një qeveri e cila përbëhet nga ish-ministrat e Millosheviqit dhe të sanksionuarit e SHBA-ve.

“Ka një potencial të madh nëse bashkohemi, nëse jemi të gatshëm të dëgjojmë Poloninë, të dëgjojmë shtetet Baltike dhe Nordike, të dëgjojmë Ballkanin Perëndimor rreth sfidave të vërteta të tyre, përvojave të tyre me fqinjtë agresivë dhe duke u bazuar në analizë të shëndoshë, të mirëfilltë dhe në përputhje me realitetin në këto pjesë të Evropës të ndërmarrim veprime të përbashkëta për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon”, shtoi Gërvalla./21Media

Back to top button