Gërvalla: Do të kemi edhe më shumë lajme të mira para se të festojmë 16 vjetorin e pavarësisë

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pas vendimit të Spanjës për të njohur pasaportat e Kosovës, ka thënë se Kosova në fillim të këtij viti do të marrë edhe shumë lajme të tjera të mira.

“Do të kemi edhe më shumë lajmë të mira para se të festojmë 3-vjetorin e fitores së madhe të 14 shkurtit dhe 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Vetëm me vendosmëri dhe punë të ndershme dhe të palodhshme mund t’ia kthejmë Kosovës dinjitetin dhe t’ia sigurojmë vendin e merituar në familjen e kombeve”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Ajo nuk ka treguar se për cfarë konkretisht bëhet fjalë, por ka përmendur disa nga ngjarjet që karakterizuan këtë vit.

“Liberalizimi i vizave, shtrirja e sovranitetit në të gjithë vendin, fillimi i inkasimit të rrymës në veri të Kosovës, heqja e barrierave për qarkullimin me targat e Republikës së Kosovës edhe nëpër Serbi si dhe mesazhet e qarta dhe të palëkundura të Mbretërisë së Bashkuar në përkrahje të sovranitetit, ekonomisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, janë tregues të qartë të suksesit dhe përkushtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”., ka shkruar ministrja.

Gërvalla parprapkisht ka thënë se “Spanja i shtohet listës së shteteve, në të cilat qytetarët tanë mund të udhëtojnë lirshëm, me pasaportën e Republikës së Kosovës dhe pa viza. Për këtë falënderoj nga zemra të gjithë ata që janë angazhuar për arritjen e këtij suksesi”.

“Na mbetet të vazhdojmë, si çdo ditë gjatë këtyre dy viteve të mandatit tonë, punën intensive për të forcuar edhe më tej Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Gërvalla./21Media

Back to top button