Gërvalla – Qunit: Besnikëria s’matet në raport me baballarët e koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, i është përgjigjur reagimit të Anton Qunit të LDK-së, pasi e akuzoi për mosvotimin për kryeparlamentare.
Fillimisht Gërvalla e akuzoi Qunin dhe disa deputetë të tjerë se kanë pasur më shumë se një arsye për ta votuar për kryeparlamentare, duke e përmendur të kaluarën e saj dhe angazhimin për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës të aktivistëve të LDK-së. E Quni në reagim iu përgjigj duke i thënë se i mbështet “vetëm ata që qëndrojnë besnikë edhe kur vështirësohen gjërat”.
Tani Gërvalla ka reaguar sërish.
“Besnikëria nuk matet në raport me shefat e partisë dhe baballarët e koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe, por në raport me shokët dhe kolegët e vrarë pas shpine. Komandant, ku e le besnikërinë ndaj Tahir Zemajt, Isuf Haklajt, Sebahate Tolajt e shumë të tjerëve? Apo e nxjerr nga sirtari vetëm kur është kohë votash?” ka shkruar ajo në Facebook.

Quni i përgjigjet Gërvallës: S’mund t’ia besosh një post të rëndësishëm një ushtari që ka dezertuar një ditë më parë
Deputeti i LDK-së, Anton Quni, i është përgjigjur deputetes nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, e cila e akuzoi atë dhe disa bashkëpartiakë të tij se u bënë bashkë me Listën Srpska dhe s’ia dhanë votën asaj për kryeparlamentare.
Quni tha se e ka “standard thelbësor” besnikërinë në politikë dhe tha se nuk mund t’ia besojë një post të rëndësishëm “një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë”.
“Kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë”, ka shkruar Quni në Facebook.
“Pse është e rëndësishme besnikëria në politikë? Për mua, besimi është themeli i çdo marrëdhënieje. Kjo vlen edhe për politikën. E dëgjova ankesën e deputetes Donika Gërvalla-Schëarz që nuk e votova për kryetare të Kuvendit. Kjo më bëri të reflektoj mbi një standard që unë e kam thelbësor: besnikërinë. Kam një parim të palëkundur, si në jetë, ashtu edhe në punë: nuk mund t’ia besoj një post të rëndësishëm një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë. Kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë. Unë besoj vetëm tek ata që qëndrojnë besnikë edhe kur gjërat vështirësohen. Është kjo besnikëri që ndërton besim dhe bën të mundur punën e vërtetë, atë që është në shërbim të qytetarëve”.
Gërvalla në një deklarim për media pas seancës së sotme tha për disa deputetë të LDK-së , përfshirë Qunin, se u bënë bashkë me Listën Serbe për të votuar kundër saj.
“LDK ka pasë mundësi ta zhbllokojë Kuvendin nuk e ka bërë një gjë të tillë. Imagjinoni, aty në Kuvend janë të ulur djali i Xhemajl Mustafës, Besian Mustafa, nipi i Tahir Zemaj, Armend Zemaj, janë ulur dy komandantë të Koshares, Fadil Hadërgjonaj dhe Anton Quni, dhe këta të katërt janë bërë bashkë me PDK-në dhe Listën Serbe për të votuar kundër Donika Gërvallës”.