Gërvalla: Jam shëndosh si molla, më ndihmoi vaksina

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka disa ditë që është karantinuar si pasojë e infektimit me COVID-19.
Përmes një shkrimi në Facebook, Gërvalla ka bërë të ditur se gjendja e saj shëndetësore është e mirë falë vaksinës antiCOVID që ka marrë.
“Ndodhem tashmë në ditët e fundit të karantinës si pasojë e infektimit me Covid19 dhe jam shëndosh si molla, duke punuar çdo ditë me shumë vullnet për të përfunduar së paku një pjesë të punëve të shumta që na presin. Falë vaksinës së marrë, kam pasur fatin të mos ballafaqohem me komplikime të rënda. Teknologjia bën të mundur kryerjen e shumicës së detyrave edhe nga distanca dhe prandaj edhe gjatë karantinës kam shfrytëzuar mundësinë për të zhvilluar ndër të tjera edhe biseda të shumta të rëndësishme me kolegë nga e gjithë bota, ndërkohë që jo më larg se mbrëmë kam pasur një bisedë tepër interesante dhe të frytshme me ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit”, ka shkruar Gërvalla.
Kryediplomatja ka thënë se sfidat e kësaj pandemie janë të mëdha dhe prekin shumë aspekte të jetës sonë.
“E rëndësishme të mos harrojmë në asnjë moment familjet, të cilat kanë humbur të dashurit e tyre apo ballafaqohen me komplikime të rënda të të afërmve të tyre dhe që kanë nevojë për solidaritetin dhe ndihmën tonë. Duke u vaksinuar vet dhe duke ndihmuar edhe në vaksinimin e miqve dhe të afërmve tanë, secili prej nesh mund të japë një kontribut të vlefshëm në kapërcimin e kësaj sfide, e cila ka përfshirë gjithë botën dhe si pjesë të kësaj bote edhe Kosovën”, ka shkruar ajo.
Gërvalla ka falënderuar të gjithë ata që i kanë uruar shërim të shpejtë, duke thënë “shihemi javën e ardhshme”./21Media
Back to top button