Gërvalla në Kanada: Kosova në NATO forcon paqen në rajon

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, është pritur në takim nga senatori, Peter Boehm, Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Senatin e Kanadasë.
Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media ku thuhet se gjatë këtij takimi, u diskutua gjerësisht rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë rreth rëndësisë së anëtarësimit të Kosovës në NATO si çelës për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të vendit dhe rajonit.
“Ministrja Gërvalla theksoi se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë, duke përmirësuar kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe duke ofruar një mbështetje të qëndrueshme ndaj sfidave të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja Gërvalla falënderoi senatorin Boehm për mbështetjen e palëkundur të Kanadasë ndaj Kosovës dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi për të adresuar sfidat e përbashkëta të sigurisë”, thuhet në komunikatë për media.
Tutje bëhet e ditur se një tjetër pikë kyçe e diskutimeve ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë. Të dy palët shprehën dëshirën për të zgjeruar mundësitë e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare, duke krijuar kushte të favorshme për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të të dy vendeve./21Media