Gërvalla udhëton drejt Brukselit, do të flasë për sulmin që ndodhi në Ibër-Lepenc

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar sot për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në takimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Sipas njoftimit zyrtarë të MPJD, thuhet se ministrja Gërvalla do të paraqesë situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, pas sulmit të Serbisë ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës në Zubin Potok, duke adresuar veprimet destabilizuese të vazhdueshme të Serbisë dhe domosdoshmërinë që institucionet e reja të Bashkimit Evropian të ndërmarrin masa të menjëhershme për të parandaluar përsëritjen e akteve të tilla që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Gjithashtu, ajo do të ripërsërisë rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian si dhe mbështetjen për shtetet e Ballkanit me orientim pro-perëndimor.