Gërvalla vizitë zyrtare në Shqipëri, takohet me homologen e saj

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla vizitën zyrtare në Shqipëri e filloi duke takuar homologen e saj Olta Xhaçka, me të cilën mbajtën edhe konferencë të përbashkët për media.
Me këtë rast ministrja Gërvalla, theksoi se lidhjet institucionale mes Kosovës dhe Shqipërisë janë vazhdimësi e lidhjeve shpirtërore dhe vëllazërore të qytetarëve në të dy anët e kufirit të cilat do të mbahen të forta në çdo kohë.
“Së bashku me ministren Xhaçka diskutuam se si të krijojmë forma të reja të bashkëpunimit për qytetarët tanë, në të dyja vendet. Dy shtetet tona janë të lidhura në mënyrë të pandashme dhe nga ne si politikan pritet që të jetësojmë nevojat e qytetarëve tanë për bashkëpunim. Këtu mundemi vetëm të shtrojmë pyetjen nëse ne jemi ajo gjeneratë e politikanëve që do ta jetësojmë përmbushjen e këtyre nevojave sepse qytetarët e kanë të qartë çfarë duan”, tha ministrja Gërvalla.
Palët gjatë takimit që patën u dakorduan rreth nevojës për mbikëqyrjen e zbatimi të marrëveshjeve të përbashkët dhe ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në shumë pika me interes të përbashkët. U theksua nevoja për përfaqësim të përbashkët diplomatik në vende të ndryshme të botës.
Gërvalla dhe Xhaçka u dakorduan të punojnë edhe për ofrim të shërbimeve të përbashkëta konsullore për qytetarët e të dyja shteteve nëpër botë.
Edhe shkëmbimet e diplomatëve të të dyja Ministrive të Jashtme u vlerësua se duhet të ndodhin së shpejti. Po ashtu e panë të nevojshme të krijohet një ofertë serioze për pjesëtarët e mërgatës e cila është e lidhur mes vete, duke përfshirë këtu mësimin e gjuhës shqipe dhe aktivitete të ndryshme kulturore.
Xhaçka theksoi se Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e mundur, pa asnjë rezervë për të shtyrë përpara proceset që lidhen me fuqizimin e Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si dhe arritjen e njohjeve të reja.
Gërvalla ndër të tjera është ndalur edhe tek procesi i integrimit evropian dhe vështirësitë e tij. Krahas angazhimit të të dyja shteteve për të përmbushur agjendën evropiane dhe për të arritur synimet në këtë rrugëtim ka thënë se po ndodhin vonesa dhe zvarritje të pakuptimta të cilat nuk janë në dorë të Kosovës dhe Shqipërisë.
Në takimin që patën dy kryediplomatet biseduan edhe për çështje rajonale.
Në këtë pikë ministrja Gërvalla ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj arritjes së marrëveshjeve të përbashkëta në dobi të qytetarëve në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili duke pasur BE-në përbrenda, ofron një siguri dhe qëndrueshmëri më të madhe se sa çdo iniciativë tjetër për vendete Ballkanit Perëndimor.
Nga ana e saj, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ritheksoi mbështetjen e parezervë të Republikës së Shqipërisë ndaj Kosovës në të gjitha sektorët e posaçërisht në angazhimin për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar./21Media

Back to top button